Katia Riabova Foto RIA LajmetNë mbrëmje të datës 16 nëntor në kryeqytetin e Ukrainës-Kiev-do të hapet në mënyrë solemne konkursi muzikor “Junior Eurovision 2009”. Përfaqësuesja e Rusisë, 12 vjeçarja Katia Riabova, do të debutojë në të e dyta me këngën “Princi i vogël”. Intriga kryesore e konkursit aktual, me sa duket nga të gjitha, po zhvendoset nga rrafshi i krijimtarisë artistike në rrafshin sanitaro-epidemiologjik. Deri në momentin e fundit nuk është bërë akoma e qartë se ç’vendim do të marrin organizatorët: ta zhvillojnë konkursin në prezencë të publikut apo në mungesë të tij. Gripi ka marrë tani përhapje kërcënuese në Ukrainë dhe në vigjilje të fillimit të rivalitetit artistik u dëgjuan thirrje të bujshme nga ana e personave të lartë zyrtarë të vendit për të mos rrezikuar me shëndetin e fëmijëve dhe për të anuluar zhvillimin e "Eurovision-it". Por persona, të tjerë jo më pak të rëndësishëm se të parët, morën vendimin për të mos hequr dorë nga një aktivitet i tillë i mrekullueshëm duke ndërmarrë si masë mbrojtëse kontrollin e përforcuar sanitar dhe mjekësor ndaj gjendjes shëndetësore të pjesëmarrësve të konkursit. Dhe në rast domosdoshmërie ti detyrojnë të gjithë të venë maska mbrojtëse. Të debutojnë në sallë bosh dhe me maska … Katia Riabova Foto RIA LajmetNjë gjë e tillë, ndoshta, as në ëndërrat më të tmerrshme nuk u është shfaqur ndonjëherë fëmijëve. Por sido që të jetë në të vërtetë, nxënësja e klasës së 5-të të gjimnazit në periferitë e Moskës Katia Riabova është tejet e lumtur nga vetë fakti se ajo arriti të fitojë konkursin eliminator në Rusi dhe të përfaqësojë vendin e vet në “Junior Eurovision 2009”. Për këngën e saj “Princi i vogël” këngëtarja e re thotë: “Fëmijët e përceptojnë sipas mënyrës së vet përrallën e Antoine de Saint-Exupery. Ata e ndjejnë me zemër, me shpirt kuptimin e saj dhe duan që po ashtu si Princi i vogël të fluturojnë nëpër planetet e gjithësisë, të flasin me dhelprat, gjarpërinjtë dhe të merren me punë të rëndësishme dhe jo me ato që i detyrojnë ata të rriturit”: Unë që prej kohësh dëshiroja të këndoja një këngë me përmbajtje romantike, shton Katia Riabova. Në procesin e kompozimit të saj mua më dhanë një ndihmë të madhe shoqet e shokët e mi. Dhe mendoj se puna që kemi bërë nuk është aspak e keqe dhe se kënga është e mrekullueshme në të vërtetë”, shprehet me bindje këngëtarja e re. Me që ra fjala, për Katia Riabovën prezenca e publikut në skenë është momenti më frymëzues: “Kur del në skenë të humbet menjëherë hutimi dhe impresionimi. Të ndihmojnë shumë spektatorët, mënyra se si ata shikojnë, si reagojnë. Ti provon një ndjesi të tillë sikur karikohesh me energjinë e tyre”, thotë më tej pjesëmarrësja ruse e "Junior Eurovision". Syzezë, çapkëne me kaçurrela të zeza, me natyrë gazmore e tepër vitale, Katia e ndjen, në përgjithësi, veten një artiste dhe konkursante me mjaft përvojë, e cila e di fort mirë sekretin e suksesit: “Nuk e di, në se ka apo jo ndonjë sekret suksesi, - përgjigjet me koketëri e shkëlqim pak dinak në sy ajo. - Mua më duket se, thjesht, duhet të merresh me atë që ty të pëlqen më shumë. Ndërsa unë pikërisht bëj atë që më pëlqen më shumë se gjithçka tjetër - këndoj”, thotë këngëtarja e re.