Rusia është e gatshme për një bashkëpunim të gjerë në çështjen e zgjidhjes së problemeve të ndërlikuara ndërkombëtare që kanë të bëjnë me programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut, destabilizimin në Afganistan dhe rregullimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Ky mendim ishte një ndër qendrorët në pjesën e politikës së jashtme të Mesazhit të Presidentit Dimitri Medvediev drejtuar Asamblesë Federale, të parashtruar nga ai dje. Temën do ta shtjellojë më tej në komentin e vet vëzhguesi politik i “Zërit të Rusisë” Viktor Jenjikejev. Autori shkruan: Këto fjalë të Liderit rus mund të komentohen si pikësynim i Moskës për të luajtur edhe më tej një rol aktiv në arenën ndërkombëtare. Gjatë kësaj theksi u vu jo mbi ndofarë interesash të ngushta egoiste kombëtare, por mbi zhvillimin e punës së përbashkët me vendet e tjera. Këto vlerësime, siç mendohet, dëshmojnë për gatishmërinë e udhëheqjes ruse jo vetëm për të vazhduar “riformatimin” e marrëdhënieve me SHBA-s, por edhe me partnerë të tjerë të Moskës. Natyrisht që kjo ka të bëjë edhe me NATO-n, edhe me vendet e Bashkimit Europian, edhe me subjekte të tjera të politikës ndërkombëtare. As që mund të vihet fare në dyshim fakti se qendrime e pozita të tilla të Kremlinit do të vlerësohen ashtu siç duhet në shumë kryeqytete të botës. Për shumë shtete të Perëndimit do të ishte mirë që të hiqnin dorë nga qendrimi me paragjykim ndaj Moskës, i cili jo rrallëherë shëmbëllen me atmosferën e “luftës së ftohtë” dhe mosbesimin. Përsa i përket politikës së SHBA-s dhe aleatëve të tyre në hapësirën postsovjetike, ku ato fshehurazi, në mënyrë tinzare dhe evidente përpiqen të fysin pykën, të mbjellin farën e përçarjes në marrëdhëniet e Rusisë me ish republikat e Bashkimit Sovjetik. Agresioni i Gjeorgjisë kundër Osetisë së Jugut në gusht të vitit të kaluar demonstroi gjithë rrezikshmërinë e ndjekjes së një kursi të tillë. Duhet të zhvendoset, të lëvizet më në fund situata nga pika e vdekur dhe të veprohet në mënyrë të tillë që natovianët të ratifikojnë Traktatin e adaptuar mbi Trupat e Armatosura Konvencionale në Europë. Premisa jo të këqia mund të krijojë për këtë përfundimi i Traktatit të ri mbi Armatimet Strategjike Ofensive midis Moskës dhe Uashingtonit deri në fund të vitit në vazhdim.