Leonid Kogan Foto RIA LajmetViolinisti i madh Leonid Kogan lindi 85 vjet më parë në familjen e një fotografi modest nga Dnepropetrovsku në Ukrainë. Arsimin muzikor ai e mori në Moskë, fillimisht në shkollën për fëmijët veçanërisht të taletuar, ndërsa më pas në Konservator. Në moshën 16 vjeçare ai luajti në mënyrë të shkëlqyer Koncertin për violinë të Bramsit, kurse pas 2 vjetësh e habiti, e impresionoi publikun me ekzekutimin virtuoz të të gjitha 24 kapriciove të Paganinit. Suksesi i korrur nga ai ishte i madh, i bujshëm. Në vitin 1947 Leonid Kogan doli për herë të parë jashtë shtetit për pjesëmarrje në Festivalin Botëror të Rinisë demokratike në Pragë. Atje ai fitoi çmimin e vet të parë ndërkombëtar: medaljen e artë në konkursin e violinistëve të rinj. Ai e dashuroi Pragën për gjithë jetën: “Ai ishte një udhëtim jashtëzakonisht interesant. Ato ishin ditë të paharruara, kur menjëherë gati pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore të rinjtë e të rejat nga e gjithë bota u takuan në Pragë në atë forum kaq të madh e përfaqësues, - kujtonte Leonid Kogan. - Atje kishte plot gjëra të reja, mjaft interesante për mua. Dhe njëkohësisht të gjithë e ndjenin veten të përfshirë në vorbullën e gëzimit, lumturisë, ngazëllimit! Unë atje për herë të parë dëgjova fjalën e urtë: “Po qe çek, është patjetër muzikant!”. Dhe pata rastin të bindesha vetë në lidhje me vërtetësinë e saj. Unë më pas kam patur nderin të luaj në festivalin muzikor “Pranvera e Pragës” dhe bile të punoja atje në përbërjen e jurisë. Dhe gjithmonë i jam gëzuar sukseseve të muzikantëve të rinj”, shprehej Leonid Kogan. Pas fitores së shkëlqyer në konkursin ndërkombëtar të violinistëve me emër të Mbretëreshës Elisabeta në Bruksel, Leonid Kogan mori namin e njërit prej violinistëve virtuozë botërore më të spikatur, më mbresëlënës të kohës së vet. Leonid Kogan e donte rininë. Ai jepte mësim si pedagog në Konservatorin e Moskës, zhvillonte master-klasa në Paris dhe Stokholm, në Vienë dhe Beorgrad. Ai ishte pedagog i rreptë, mjaft kërkues, por njëkëhësisht dhe me një ndjenjë të papërsëritshme humori. Atë se si e pyetën njëherë: “I nderuari Maestro, Ju jeni i angazhuar me kaq shumë koncerte! A nuk ju pengon vallë veprimtaria pedagogjike? Ai me një buzëqeshje të gjerë, dashamirëse iu përgjigj: “Nuk e di sa i dobishëm jam unë për studentët e mi, por për një gjë jam më se i sigurt-se ata më japin shumë mua! Së pari, duke u ndodhur përherë midis të rinjve unë vetë nuk plakem, së dyti-nuk më trashet truri, së treti, kur ata luajnë mua më vijnë në kokë mendime interesante dhe zgjidhje të papritura në lidhje me atë se si ta luaj në koncert këtë apo atë fragment të ndërlikuar muzikor. Pse janë pak të gjitha këto?”. Idhull për Leonid Koganin gjatë gjithë jetës së tij ka qenë Paganini, virtuozi i famshëm italian. Jo shumë kohë para se të ndahej nga jeta Leonid Kogan realizoi ëndërrën e vet: ai luajti të gjitha Kapriçiot e Paganinit në filmin televiziv me shumë seri kushtuar jetës së kompozitorit dhe violinistit famoz. Dhe i ekzekutoi ai ato në mënyrë të papërsëritshme, fantastike. Pas premierës së filmit televiziv ai u nis me turne për në qytetin Jarosllavël pranë brigjeve të Vollgës. Por nuk arriti dot atje: zemra e tij ndaloi së rrahuri në tren. Leonid Kogan ishte atëhere vetëm 58 vjeç.