Mesazhi i Presidentit rus Dimitri Medvjedjev drejtuar Asamblesë Federale të FR u dëgjua jo vetëm në Rusi, por edhe në Europë. Publicisti i njohur sllovak Dushan Kerne mendon, se thirrja e Liderit rus për modernizimin e gjithanshëm të vendit iu adresua, në radhë të parë, atyre për të cilët demokracia, progresi dhe liria ekonomike janë vlerat më të larta. Nga Bratisllava në linjë telefonike Dushan Kerne: “Pas disa ditësh, në Moskë, do të vijë me vizitë pune Kryeministri i Sllovakisë, zoti Fico, dhe prandaj ne me një interes të veçantë dëgjuam Mesazhin e Presidentit të Rusisë. Në të ai përcaktoi orientimet e reja në politikën e jashtme dhe të brendshme ruse. Presidenti flet për pragmatizmin, ndërsa kjo do të thotë për shfaqjen e elasticitetit më të madh në dialogun me partnerët, dhe ne në Europë ky fakt s’ka si mos të na gëzojë. Rusia nuk është aspak indiferente ndaj asaj se si bota i percepton iniciativat e saj politike, gjë kjo që dëshmon mbi qendrimin modern ndaj ndërtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Mua më bëri një përshtypje të veçantë pikësynimi i sinqertë i Liderit rus për vendosjen e komunikimit të drejtëpërdrejtë me elektoratin e vet. Ai përcakton orientimet e reja duke u referuar tek mendimi i qytetarëve që kanë mundësi ti dërgojnë propozimet e veta në site e Kryetarit të shtetit. Me sa duket nga të gjitha, duke marrë parasysh kritikën e qytetarëve rusë, Presidenti bën thirrje në perspektivë për ti çliruar partitë nga mbledhja e firmave të domosdoshme për to me qëllim të pjesëmarrjes në zgjedhje, kërkon të vërë rregull në votimet e parakohshme, i propozon parlamenteve të të gjitha niveleve të diskutojnë idetë e partive që nuk përfaqësohen në to. Medvediev dëshiron të shohë në radhët e autoriteteve pushtetore një spektër më të gjerë politik. Dhe ky është një propozim me të vërtetë revolucionar. Presidenti ka ndër mend ta vendosë veprimtarinë e parlamentit nën kontrollin opinionit shoqëror. Pikërisht të tillë dëshiron ta shohë Dimitri Medvediev Rusinë e re. Dhe me ç’gjuhë të bukur është shprehur e gjithë kjo! Sipas idesë së tij, ekonomia primitive dhe ajo e bazuar në lëndën e parë duhet të zëvendësohet nga ekonomia moderne, e ndërtuar sipas teknologjive të përparuara. Kurse shoqëria, e cila ruan akoma tiparet arkaike të së kaluarës, të zëvendësohet me shoqërinë intelektuale të qytetarëve të lirë, të rinisë dhe njerëzve me mentalitet kreativ. Një drejtim të tillë strategjik projekton për vendin Lideri i saj. Mesazhin e vet Dimitri Medvediev e përfundon me një mbyllje impresionuese. Ai u shpreh pikërisht kështu: ne ishim ata që fituam Luftën e Dytë Botërore, nuk do të jemi ne vallë në gjendje të fitojmë edhe betejën kundër korrupsionit dhe prapambetjes? Tashmë vetëm me këtë thirrje në Mesazhin e përvitshëm drejtuar parlamentit ai i siguroi vetes vendin e denjë në galerinë e presidentëve të parë të Rusisë demokratike. Shpresoj shumë, që fjalët e thëna nga ai të mëshirohen në politikën konkrete, në modernizimin sistemor të vendit, (po e citoj sërish Medvedevin) “i cili do të ngrihet në një shkallë më të lartë në zhvillimin e vet të qytetëruar”, konkludon Dushan Kerne.