Në shekullin e XXI-të Rusisë i duhet medoemos modernizimi i gjithanshëm i bazuar mbi vlerat e demokracisë. Por gjatë kësaj është tejet e rëndësishme që reformat të zhvillohen jo vetëm brenda vendit, por edhe në drejtimin e politikës së jashtme. Për këtë deklaroi Presidenti i Rusisë Vladimir Putin duke dalë sot në Kremlin me Mesazhin e përvitshëm drejtuar Asamblesë Federale-parlamentit të vendit. Shumë ekspertë mendojnë, se për avancimin e Rusisë përpara duhet të vendosen, para së gjithash, marrëdhënie miqësore me vendet fqinje. Siç deklaroi Presidenti, Rusia mund të fitojë statusin e fuqisë botërore mbi një bazë principialisht të re, dhe pikërisht, duke aplikuar teknologjitë e reja, dhe s’është e thënë patjetër ato ekskluzivisht ruse. Në lidhje me këtë Lideri rus quan të domosdoshme mbrojtjen e përforcuar të interesave kombëtare në sferën e politikës së jashtme, në atë ekonomike dhe humanitare. Rezultatet e kësaj pune që këtej e tutje duhet të gjejnë pasqyrim jo vetëm në dhënien e ndihmës konkrete kompanive ruse jashtë shtetit, jo vetëm në ndërmarrjen e përpjekjeve për avancimin e brandeve të mallrave dhe shërbimeve vendase, por edhe në vëllimet e tërheqjes së investimeve të huaja në ekonominë ruse, ndërsa më kryesorja në hyrjen e teknologjive më të fundit në vend. Të gjitha këto ide, pa asnjë dyshim plotësisht perspektive, do të mund të realizohen në jetë në një të ardhme të afërt, shprehet me bindje Drejtorja e degës së Qendrës të studimeve europiane të Institutit të ekonomisë botërore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Rusisë Nadiezhda Arbatova. Por fillimisht është e domosdoshme të ndryshohet modeli ekzistues i marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit, i cili u krijua në këto dekadat e fundit. Ai ndërtohet mbi qendrime të papajtueshme. Perëndimi dëshiron, para së gjithash, që Rusia të garantojë furnizimin pa ndërprerje të lëndëve energjetike dhe gjatë kësaj të jetë shtet demokratik e të mos krijojë probleme në politikën e jashtme. Por në qoftë se Rusia do të mbetet vetëm donatore energjetike ajo nuk do të mund të bëhet fuqi demokratike dhe atëhere probleme në politikën e jashtme në hapësirën postsovjetike do të lindin vazhdimisht. Ndërkohë që edhe pozita ruse nuk e kënaq gjithashtu politologen: “Rusia dëshiron të jetë një vend modern me teknologji të reja, me ekonomi të re. Por ndërkohë ajo do të mbetet demokraci sovrane dhe të ndjekë në hapësirën postsovjetike atë politikë që do të mund ti siguronte asaj arritjen e objektivave të caktuara. Ndërsa këto janë detyra të papajtueshme, — mendon Nadiezhda Arbatova. Koncepti i demokracisë sovrane dhe mungesa e bashkëpunimit në hapësirën postsovjetike do të bëhen pengesë për zhvillimin inovativ të saj. Prandaj, para së gjithash, duhet ndryshuar modeli i marrëdhënieve”, shprehet me bindje të plotë politologia. Një pikëpamje disi më optimiste ndaj gjërave ka Drejtori i përgjithshëm i Fondit rus të politikës efektive Kirill Tanajev: “Mendoj, se linja e udhëheqjes ruse dhe autoriteteve pushtetore, e cila është e drejtuar për mbrojtjen e pozitës së vet në botën bashkëkohore shumëpolare, për mbrojtjen e parimeve të veta të organizimit të politikës ndërkombëtare, sigurimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, gjen një mbështetje të madhe midis shumë vendeve të cilat shohin me optimizëm e shpresë atë që bën aktualisht Rusia. Dhe për këtë një meritë të madhe ka Dimitri Medveiev, i cili gjithmonë në mënyrë mjaft konsistente dhe bile ngandonjëherë të rreptë mbron pikëpamjen ruse përkatësisht gjërave që ndodhin në botë. Dhe kjo konsistencë po sjell tashmë fryte reale. Ajo tregon qartë, se në të vërtetë manovrimi politik sjell vetëm përfitime momentale, jo kohëgjata, ndërkohë që në perspektivën strategjike pozita konsekuente është gjithmonë më e leverdisshme, më dobiprurëse”, vuri në dukje Kirill Tanajev.