Angela Merkel Foto EPAE rizgjedhura sërish para pak kohësh në postin e Kancelares federale Angela Merkel, duke dalë në Bundestagun gjerman me programin e kabinetit të formuar prej saj, premtoi ti japë Gjermanisë “një fuqi të re, potenciale shtetërore”. Kurse po atë ditë në Bruksel, në takimin me ministrat e financave të BE, tingëlloi një shifër e tillë: në 5 vitet e afërta borxhi i përgjithshëm shtetëror i vendeve të Bashkimit Europian mund të arrijë 100 % të vëllimit të produktit të brendshëm të tyre total. Për shkak të rritjes së shpenzimeve për mbështetjen e sektorit bankar dhe stimulimin e ekonomisë treguesit e deficitit buxhetor dhe borxhit shtetëror gjithkund i kanë tejkaluar parametrat e përcaktuar në Bashkimin Europian - 3 dhe 60 %. Në Gjermani, p.sh., në vitin 2010 deficiti do të përbëjë 6 %, në Francë-8.3 %, kurse në Spanjë do ti tejkalojë të 10 %. Mesatarisht në vendet e eurozonës ai do ti afrohet 7 %. Gjermania premtoi të reduktojë deficitin e buxhetit deri në nivelin e standarteve të BE aty nga viti 2013, Franca - aty nga viti 2014. Të tjerët premtojnë të njoftojnë mbi afatet e arritjes së këtij treguesi pak më vonë. Ndërsa përsa i përket fjalëve të larta, bombastike të Angela Merkelit mbi “rritjen e re të fuqishme të shtetit”, siç tha në mbledhjen e ministrave të financave të BE përfaqësuesi i Holandës Wouter Bos, Gjermania nuk mund të shërbejë si shembull për të tjerët. Ai e quan të pamundur uljen e njëkohësishme të tatimeve, ndërsa pikërisht një vendim të tillë mori kabineti i ri gjerman, dhe marrjen me shëndoshjen e buxhetit. Në Berlin, vërtet besojnë, se kjo gjë është plotësisht e mundur. Siç mendon Aleksandër Strellkov, bashkëpunëtori shkencor i Degës së studimeve të integrimit europian të Institutit të Europës, deri tani ky proces ka qenë më tepër i lidhur me elitat politike: “Me qëllim që të bëhet një hap i ri, - thotë eksperti, - duhet të ingranohen masat popullore në këtë proces. Domethënë, në qoftë se do të arrihet të rritet interesimi i popullsisë ndaj eurointegrimit, atëhere mund të arrihet edhe avancimi përpara. Ndërsa përsa i përket problemeve ekonomike, në këtë rast BE mund të dalë në rolin e njëfarëlloj dashi kurbani. Në qoftë se, p.sh., disa vende nuk do t’ia dalin dot punës mbanë me zgjidhjen e detyrave të veta të brendshme, atëhere gjithmonë do të ekzistojë tundimi për ta hedhur fajin për të gjitha problemet mbi BE, mbi Brukselin dhe Komisionin Europian”, konkludon Aleksandër Strellkov.