Në Ministrinë e energjetikës të Rusisë u përpunua mekanizmi për parandalimin e hershëm të incidenteve të mundshme në sferën e energjetikës në kuadrin e dialogut energjetik Rusi-BE. Në dokument u përcaktuan veprimet e përbashkëta të Moskës dhe Brukselit në rast të problemeve që mund të lindin me furnizimet e gazit në Europë. Kapitulli kryesor i dokumentit i kushtohet përvetësimit të pasanksionuar të gazit nga depot e ruajtjes dhe gjatë realizimit të transitit të tij, si dhe pezullimit ose reduktimit të transitit të lëndëve energjetike të cilat nuk janë parashikuar në kontratat e lidhura midis furnizuesit dhe konsumatorit. Sepse pikërisht incidente të tilla kanë provokuar më se një herë lindjen e situatave të mbarsura me konflikte midis Rusisë dhe Ukrainës, theksoi Vladimir Averçev, anëtari i Këshillit rus të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes: “Ne vërejmë se rreziku kërcënues i shkeljes së kontratës është potencial. Kërcënimi është kaq i madh tani jo vetëm për faktin se Ukraina në këto momente po përballohet me probleme financiare, por dhe se të gjitha këto po ndodhin në kulminacionin e fushatës paraelektorale. Ne e dimë fort mirë se politikanët ukrainas e shfrytëzojnë rregullisht çështjen e gazit në lojërat e tyre politike si edhe në konfrontimet me njëri-tjetrin. Dhe nuk ka kurrëfarë garancish se kjo nuk do të ndodhë edhe kësaj radhë. Dhe ky është pikërisht shkaku që Rusia vendosi të risigurohet”, thotë Vladimir Averçev.Tani pritet që memorandumi të aprovohet nga Brukseli. Pjesa dërrmuese e ekspertëve mendojnë se kjo mund të ndodhë më 18 nëntor, në samitin Rusi-BE i cili do të mbahet në Stokholm. Në Botën e Vjetër e kuptojnë shumë mirë se Moska edhe për shumë e shumë vite me radhë do të jetë furnizuesja kryesore e gazit në Europë. BE nuk ka asnjë alternativë reale të Rusisë. Është e rëndësishme të theksohet se Brukseli gjithashtu po fillon të ushtrojë presion mbi Kievin. Kryetari i Komisionit Europian José Manuel Barroso, në mënyrë të veçantë, i bëri thirrje udhëheqjes ukrainase që të evitojë vonesat me shlyerjen e pagesave për gazin rus. Banorët e Botës së Vjetër nuk duhet të vuajnë nga pengesat potenciale të furnizimit të gazit nga Rusia nëpërmjet territorit ukrainas në Europë. Barroso theksoi se Rusia gjithmonë i përmbush detyrimet e veta ekzaktësisht dhe brenda afatit. Presidenti i Ukrainës Viktor Jushenko përsëri premtoi të paguajë për gazin e marrë rus në kohë. Megjithëse Zëvendës kryeministri i Ukrainës Grigori Nemirja tashmë deklaroi se vështirësitë mund të lindin në janar të vitit 2010. Arsyeja rezulton prozaike - Kievi ka probleme me FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar). Në qoftë se çështja nuk do të zgjidhet, ndërkohë që puna drejt kësaj dhe po shkon, atëherë Ukraina nuk do të ketë se me çfarë të paguajë për gazin rus. Burime të tjera mjetesh financiare në Kiev gjoja nuk mund të gjejnë. Në lidhje me këtë udhëheqja ukrainase për të satën herë i lutet “Gazprom-it” të përpiqet të kuptojë situatën e krijuar dhe të mos bllokojë furnizimet e gazit. Por në Kiev nuk dëshirojnë të marrin parasysh faktin, se “Gazpromi”, si edhe çdo organizatë tjetër komerciale që mban përgjegjësi përpara aksionerëve të vet, nuk mund të furnizojë mallin e saj pa marrë pagesën e plotë në kohë. Dhe nuk është aspak faji i Moskës që furnizimet e gazit në BE në dimër do të ndërpriten. Nga ana e vet, udhëheqja ruse po bën çmos që një gjë e tillë të mos ndodhë. Brukseli tashmë e parashtroi pozitën e vet. Tani punën e saj duhet ta bëjë edhe Ukraina.