Shërbimet speciale zhvilluan një operacion të suksesshëm të përbashkët për likuidimin e bandës ndërkombëtare që merrej me trafikim qeniesh njerëzore. Sipas të dhënave të botimit “Rossijskaja gazeta”, gjithësej u arrestuan 14 të dyshuar: 8 në Rusi dhe 6 jashtë shtetit. Grupimi kriminal nëpërmjet kanaleve klandestine dërgonte vajza të reja nga Rusia dhe vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura në Europë për ushtrim prostitucioni. Dënimi për këtë krim në Federatën Ruse - deri në 6 vjet heqje lirie-është rreptësuar në vitin 2008. Në mënyrë veçanërisht të rreptë do të dënohet trafikimi i qenieve njerëzore, që ndodhen nën varësi materiale nga trafikanti, dhe shitja e grave shtatzëna. Rrjeti kriminal i rekrutuesve “të qenieve njerëzore” si mall i gjallë vepronte në krahinës e Primorskut, si dhe në një sërë qarqesh të Rusisë Qendrore. Ky nuk është tashmë operacioni i parë i ndërmarrë për likuidimin e një bande të tillë që merrej me trafikim skllavesh. Në korrik të këtij viti përfundoi hetimi dyvjeçar i çështjeve penale të ngritura kundër 6 qytetarëve rusë, 5 qytetarëve moldavianë dhe 2 shtetasve të Izraelit, të cilët akuzohen për shitjen e më tepër se 100 femrave-qytetare të Ukrainës, Uzbekistanit, Moldavisë dhe Rusisë. Shumica e tyre u shitën në Izrael, Itali, Spanjë, Gjermani, Greqi, Holandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këtë treg fitimi i përvitshëm nga shfrytëzimi i çdo skllaveje arrin deri në 100 mijë dollarë. Ndërsa i kushton padronit të saj mbajtja e një skllaveje të tillë vetëm 2 mijë dollarë.


Komentimi i artikullit të ditës


Zhana Samoilenkova, Nënpresidente e Organizatës “SOS-Rusia”, e cila ndihmon qytetarët rusë të mbrojnë të drejtat e veta jashtë shtetit, thotë se kriza e shtyn rininë të kërkojë mundësi për të fituar para në botën kriminale: “Të rinjtë zakonisht i shkurtojnë nga puna. Shumë prej tyre nuk mund të gjejnë vende të denja pune për veten… Kështu që tani filluan të largohen me koshiencë të plotë jashtë shtetit. Të rejat janë të gatshme të ofrojnë ndofarë shërbimesh intime, por shpesh herë nuk e dinë se ç’mund të ndodhë në të vërtetë me to më pas. Fillimisht ato vijnë në vendet e huaja mbi bazë të kontratës paraprake që lidhin, kurse më vonë pasi shohin se ç’bëhet atje, me gjithë ato bordello e gjithëfarë shtëpish publike e të tjera si këto, na drejtohen neve për ndihmë. Na telefonojnë shumë tani nga vende të ndryshme. Duan të kthehen në Rusi…”, thotë Zhana Samoilenkova.