Të dielën, më 15 nëntor, banorët e Kosovës do të marrin pjesë në zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë së kësaj krahine serbe në shkurt të vitit 2008. Karakteri i tyre do të përcaktojë në shumë gjëra zhvillimin e mëtejshëm të situatës në rajon dhe ecurinë e diskutimeve që do të fillojnë më 1 dhjetor në lidhje me statusin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të OKB-së. Nuk përjashtohet as mundësia e shpërthimit të një vale dhune të armatosur në krahinë. Skenarët e mundshëm i analizon në materialin e vet vëzhguesi i “Zërit të Rusisë”, kandidati i shkencave historike Pjotër Iskenderov. Megjithëse fjalë bëhet vetëm e vetëm për zgjedhjet bashkiake, ato kërcënohen të acarojnë seriozisht konfrontimin si midis serbëve dhe shqiptarëve kosovarë, po ashtu dhe midis OKB dhe BE, që e ka marrë nën tutori Kosovën. Llogaria e bërë nga autoritetet e Prishtinës është e thjeshtë: paraqitja e lartë e elektoratit në zgjedhjet bashkiake dhe vlerësimi pozitiv i tyre nga ana e vëzhguesve do të forcojnë pozitat e separatistëve shqiptarë kosovarë në dëgjimet në Gjykatën Ndërkombëtare të OKB-së në Hagë. Në lidhje me këtë ato do të ushtrojnë një presion të paprecedentshëm mbi popullsinë serbe të krahinës me qëllim që ta bindin atë të marrë pjesë në zgjedhjet bashkiake në vendet e banimit të vet kompakt. Paraqitja e serbëve në zgjedhjet në fjalë kësaj herë mund të jetë me të vërtetë më e lartë se gjatë viteve paraardhëse. Në veçanti, një parashikim të tillë e bëri publik Lideri i Lëvizjes serbe të Rezistencës dhe kandidati për kryetar bashkie i Graçanicës Momçillo Trajkoviç. Ai tashmë u bëri thirrje bashkëfisësve të vet “për të zgjedhur të keqen më të vogël” duke marrë pjesë në zgjedhjet në fjalë dhe duke u përpjekur “për ta shndërruar këtë të keqe më të vogël në ndonjë gjë të mirë”. Por shumë liderë të serbëve kosovarë dhe hierarkë të Kishës Orthodhokse Serbe mendojnë, se pjesëmarrja e serbëve në to do të legjitimizojë përfundimisht pavarësinë e Kosovës. Sepse pikërisht zgjerimi i të drejtave të komunave serbe dhe është “karremi” kryesor joshës në Planin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës me emër të Martti Ahtisaarit, i cili, me që ra fjala, nuk u miratua as nga OKB-ja, as nga Serbia. Preokupimi i serbëve është plotësisht i kuptueshëm edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Në raportin e vet të fundit në Këshillin e Sigurimit ai faktikisht i lau duart nga zgjedhjet e pritshme duke theksuar se Misioni i OKB-së në këtë krahinë për herë të parë për këto dhjetëvjeçarët e fundit ka humbur mundësinë për të bërë vlerësimin e zgjedhjeve. Kështu që do të duhet të mbështetet tek raportimet e përfaqësuesve të Bashkimit Europian. Ndërsa ata është vështirë ti cilësosh si të tillë që gjykojnë në mënyrë të paanshme. Siç konfirmoi Kryetari i ri i përfaqësisë së Komisionit Europian në Rusi Fernando Valenzuela, pavarësisht nga mosmarrëveshjet që ruhen ende në lidhje me statusin e Kosovës, BE do të vazhdojë të bashkëpunojë me Prishtinën: “Duket krejtësisht qartë, se Bashkimi Europian deri tani nuk arriti dot në një pozitë të konsoliduar në lidhje me problemin e Kosovës. Një sërë shtetesh anëtare të tij e njohën pavarësinë e Kosovës, por disa të tjera vazhdojnë, si dhe më parë, të mos e njohin atë. Por bile edhe këto vende e pranuan, se BE mund të bashkëpunojë me Kosovën, të realizojë politikë dhe programe të përbashkëta me të, dhe se ato nuk do ta pengojnë një gjë të tillë”, theksoi bashkëbiseduesi ynë. Zgjedhjet e pritshme kanë edhe një akcent tjetër. Pasi të kenë zhvilluar zgjedhjet dhe të jenë dalluar për sjellje shembullore në sytë e BE, autoritetet shqiptare të Kosovës mund të ndërmarrin përpjekjen për të vënë nën kontrollin e vet rajonet veriore të krahinës të populluara nga serbët. Një urdhër të tillë është i aftë ta japë ish Kryeministri i Kosovës dhe ish i pandehuri i Tribunalit të Hagës Ramush Haradinaj. Ky person, njëri nga ish krerët e UÇK-së, si askush tjetër është bërë figurë dominante në fushatën e tanishme paraelektorale. Duke marrë fjalën këto ditë në mitingun e zhvilluar në Deçan, ai premtoi të bëhet sërish në vitin 2010 Kryeministër i Kosovës. Në këtë rast zhvillimi i situatës në vend mund të dalë përfundimisht jashtë kontrollit.