Diskutimi i Marrëveshjes mbi mospërdorimin e forcës midis Gjeorgjisë e Abkhazisë dhe midis Gjeorgjisë e Osetisë së Jugut do të zhvillohet sot, më 11 nëntor, në Gjenevë. Në rolin e ndërmjetësve ndërkombëtarë në to do të jenë të pranishëm Rusia, Bashkimi Europian, OKB-ja, OSBE-ja dhe SHBA-s. Ky është tashmë raundi i 8-të i negociatave ndërkombëtare për Kaukazin. Ato filluan në tetor të vitit të kaluar në përputhje me Planin paqësor Medvediev-Sarkozi, i cili u përpunua pas agresionit të Gjeorgjisë kundër Osetisë së Jugut. Deri në momentet aktuale ky është i vetmi forum ndërkombëtar në të cilin të gjitha palët e interesuara kanë mundësi të diskutojnë në mënyrë të hapur dhe joformale problemet më aktuale të rajonit. Duhet thënë, se për vitin e kaluar nuk u arrit ndonjë avancim i ndjeshëm përpara. Dhe për shkak të asaj se disa nga pjesëmarrësit e diskutimeve e njohin pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, ndërsa disa të tjerë dalin kundër kësaj gjëje, lindin pengesa që nuk lejojnë zgjidhjen konstruktive të problemeve parimore që kanë të bëjnë me stabilizimin e situatës në Kaukaz. E megjithatë u evidentua një progres i vogël. Le të marrim të paktën atë fakt se delegacionet e Suhumit dhe Chinvalit marrin pjesë në negociatat në fjalë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët. Ato fituan mundësinë për të paraqitur pikëpamjen e tyre, për të komunikuar me përfaqësuesit ndërkombëtarë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse deri tani në rajon vazhdojnë të ndodhin incidente, të cilat shkaktojnë komentime të ndryshme, bile ngandonjëherë diametralisht të kundërta nga ana e palëve. Natyrisht, kjo shkakton një këmbim mjaft emocional mendimesh gjatë kohës së takimeve të Gjenevës. Por megjithatë duhet të arrihet në marrëveshje, megjithëse nuk mund të pritet ndonjë kthesë rrënjësore e theksuar në raundin e radhës të konsultimeve, mendon Nënkryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore për Sigurimin të Federatës Ruse Genadi Gudkov: “Është grumbulluar si shumë mosbesim reciprok midis palëve. Dhe, natyrisht, Gjeorgjia do të ngulë këmbë në të vetën. Por e vërteta gradualisht po depërton megjithatë deri në mendjet e politikanëve europianëve. Prandaj, unë mendoj, se rruga e diskutimeve është udha e vetme e drejtë. Sigurisht që ajo nuk do të çojë në rezultate të shpejta, dhe në lidhje me këtë nuk duhet të ushqehen kurrëfarë iluzionesh. Por megjithatë negociata të tilla duhet të zhvillohen medoemos. Duhet sqaruar njëherë e mirë se ç’ndodhi realisht në Kaukaz në gusht të vitit 2008. Duhen mbrojtur pozitat vetiake me konsekuencë, qartë, në mënyrë të peshuar e të argumentuar. Ndoshta për Rusinë do të ishte mirë që të zhvillonte konsultime suplementare vetiake në lidhje me këtë”, thotë Genadi Gudkov. Negociatat aktuale janë të parat pas publikimit të raportit të Komisionit të pavarur të BE, i cili nën drejtimin e diplomates nga Suedia Heidi Tagliavini hetoi rrethanat e shpërthimit të veprimeve luftarake vitin e kaluar në Osetinë e Jugut. Komisioni pranoi si përgjegjës për shpërthimin e konfliktit të armatosur Tbilisin, i cili sulmoi Chinvalin. Por edhe Rusinë nuk e la pa cënuar: reagimin e saj të kundërpërgjigjes ndaj sulmimit të shtetasve rusë e vlerësoi si “joproporcional”. Por sido që të jetë në të vërtetë, duhet thënë, se ky raport eliminoi shumë probleme dhe tani palët mund ti afrohen pikërisht diskutimit të çështjes më të mprehtë aktuale-arritjes së marrëveshjes mbi mosrifillimin e veprimeve luftarake. Në negociatat e tanishme të gjithë pjesëmarrësit, bile edhe Gjeorgjia, kanë ardhur me të kuptuarit e asaj të vërtete evidente, se pa teza të garantuara ndërkombëtare dhe juridikisht të detyrueshme për zbatim mbi mospërdorimin e forcës është e pamundur të garantohet një siguri afatgjatë në rajon. Tani gjithçka do të varet nga ajo se sa të gatshme janë palët, duke përfshirë edhe Tbilisin, të kërkojnë rrugëzgjidhje kompromise dhe të respektojnë pikëpamjet e partnerëve, ndër të tjera, ndoshta dhe në radhë të parë, të abkhazianëve dhe osetinianojugorëve.