Foto RIA LajmetMinistria e energjetikës e Federatës Ruse i dorëzoi Komisionit Europian “Memorandumin mbi mekanizmin e paralajmërimit të hershëm në sferën e energjetikës në kuadrin e dialogut energjetik Rusi-BE”. Mos ishte vallë ndonjë gjë e papritur kjo për partnerët e saj në Europë dhe në se konsiston, në fakt, thelbi i propozimeve ruse? Me këtë pyetje ne iu drejtuam Drejtorit të Institutit të energjetikës dhe financave të Rusisë Vladimir Fejgin: “3 vite më parë në dokumentet e dialogut tonë energjetik me Bashkimin Europian u fiksua pika që kishte të bënte me domosdoshmërinë e krijimit të mekanizmit të paralajmërimit paraprak. Pra, palët duhet të informohen për problemet që lindin jo nga gazetat, por nga njëra-tjetra. Dhe kjo është një gjë krejtësisht e natyrshme kur ju bashkëpunoni kaq ngushtë, kur keni interesa të përbashkëta, një vëllim shumë të madh tregtie reciproke. Sigurisht, që është më se i nevojshëm mekanizmi i paralajmërimit mbi lindjen e situatave emergjente me qëllim që të minimizohen rreziqet e mundshme të lidhura me transitin e lëndëve energjetike. Siç thonë rusët : “Të jesh i paralajmëruar, do të thotë të jesh i armatosur!”. Një problem tjetër është ai se ç’masa duhet të ndërmerren në rast situate emergjente? Në fund të tetorit Kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko i telefonoi Kryeministrit rus Vladimir Putin dhe i deklaroi se Presidenti Viktor Jushenko nuk i lejon asaj të shlyejë pagesat për gazin e shfrytëzuar tashmë rus nga Ukraina. Dhe javën e kaluar Putin u detyrua të informojë Suedinë, e cila aktualisht kryeson në Bashkimin Europian, se probleme me furnizimet e gazit rus në Europë mund të lindin megjithatë”, thotë Vladimir Fejgin. Mos doni të thoni vallë se mbi Europën u shfaq sërisht fantazma e krizës së “gazit”? “Nuk mund të përjashtohet asgjë në qoftë se do të ngrihet për shqyrtim çështja që ka të bëjë me rishikimin e paketës së marrëveshjeve ruso-ukrainase, të përfunduara më 19 janar të vitit 2009. Në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë është shumë e volitshme për ndokënd ti shpjegojë zgjedhësve se në fillim të vitit Kryeministrja ukrainase (e cila është gjithashtu kandidate për presidente) hoqi dorë nga mbrojtja e interesave kombëtare dhe nënshkroi marrëveshje të paleverdisshme për atdheun me Rusinë. Kështu që dukja e Memorandumit, të cilin Moska ia dorëzoi tashmë Komisionit Europian, është punë e bërë tamam në kohën e duhur…”, shprehet Vladimir Fejgin. Po sa shpejt mendoni se mund të lançohet ky mekanizëm i paralajmërimit të hershëm (paraprak) të rreziqeve që mund të lindin me furnizimet e lëndëve energjetike? “Duhen kuptuar mirë fillimisht parimet që veprojnë në BE. Në nivel Komisioni Europian zgjidhen vetëm ato probleme për të cilat ai ka marrë të drejta ekskluzive. Në rast të kundërt fillojnë konsultimet me çdonjërën nga palët veç e veç. Ashtu, thjesht, menjëherë atje nuk mund të zgjidhet asgjë. Ndër të tjera, Brukseli po zhvillon bisedimet e veta me Ukrainën në lidhje me transitin. Vetëkuptohet, se me të, si me palën e interesuar, ai do të bashkërendisë propozimet ruse. Kështu që çështja është më se aktuale”, konkludon Vladimir Fejgin.