Bankat e vendeve të “G-20” mund ti ngarkojnë me një tatim të ri. Ai propozohet të mblidhet në një fond të posaçëm, kurse më pas të shërbejë për dhënien e ndihmës me kredi organizatave gjatë lindjes së problemeve financiare. Siç shkruan botimi “Rossijskaja gazeta”, një ide e tillë u diskutua në ditët e shkuara të fundjavës nga ministrat e financave dhe krerët e Bankave Qendrore të vendeve të “G-20” në takimin e tyre në Skoci. Por realizimi në jetë i këtij propozimi nuk do të jetë aspak i lehtë, deklaroi njëri nga drejtuesit e Bankës së Rusisë Aleksei Ulukajev. Një tatim i tillë është vështirë të vihet në veprim dhe të administrohet. Në të njëjtën kohë, sipas fjalëve të tij, përvoja e vendeve të tjera në këtë sferë duhet të studjohet me vemendje të përqendruar. Aplikimi i mekanizmit të ri për minimizimin e rreziqeve, të lidhura me bankat e mëdha, u quajt në komunikatën përfundimtare të takimit të sipërpërmendur, një ndër 4 prioritetet për reformimin e sistemit financiar. Në fakt, fjalë bëhet mbi atë, që në të ardhmen shpëtimi i tyre të mos bjerë si barrë e rëndë mbi supet e taksapaguesve. Sepse pikërisht shpenzimet antikrizë për shpëtimin e sistemit financiar dolën më të qenësishme në shumicën e vendeve. Në vija të përgjithshme kjo ide, vë në dukje botimi “Rossijskaja gazeta”, ka tingëlluar edhe më parë, por nuk pat gjetur kurrëfarë mbështetje.


***


Përgatitja e Traktatit të ri midis Rusisë dhe SHBA-s në sferën e Armatimeve Strategjike Ofensive hyri në fazën e vet përfundimtare. Siç njofton gazeta “Vremia novostei”, në Gjenevë startoi raundi i teti, dhe siç shpresojnë shumë në Moskë, i fundit i konsultimeve ruso-amerikane në lidhje me këtë problem. Mbetet më pak se një muaj kohë për të arritur në përfundimin e marrëveshjes së re në lidhje me Armatimet Strategjike Ofensive. Ekspertët rusë mendojnë, se bashkëbiseduesit i kanë të gjitha shanset për ta përfunduar këtë punë në kohë, meqenëse u arrit të eliminoheshin të gjitha mosmarrëveshjet ekzistuese kyçe. Rusia propozonte që të përforcohej në dokumentin në fjalë ndërlidhuria e armatimeve strategjike ofensive dhe armatimeve mbrojtëse të tilla si sistemet e mbrojtjes antiraket. Pozitën e vet Moska e argumentoi me planet e Uashingtonit për të dislokuar elementet e veta të Mbrojtjes Antiraket në Poloni dhe Çeki, gjë kjo që nuk e kënaqte në mënyrë kategorike atë. Vendimi i shtatorit i Presidentit të SHBA-s Barak Obama për të hequr dorë nga këto plane i sheshoi divergjencat. Atmosfera e përgjithshme në negociatat e zhvilluara ishte më e volitshme, më dashamirëse.