Aleksandra Pahmutova dhe Nikollai Dobronravov Foto RIA LajmetNjeri-këngë e quajnë në Rusi kompozitoren Aleksandra Pahmutova-n. Më 9 nëntor ajo mbushi plot 80 vjeç. Por krijimtaria e saj, talenti i saj nuk janë aspak periudhë e shkuar e kulturës ruse. Këngët e Aleksandra Pahmutovës i di përmendësh dhe i këndon, si dhe më parë, i gjithë vendi. Dhe jo rrallëherë meloditë e saj i quajnë popullore, sepse pikërisht kaq organike janë ato për njëfarë lloj mentaliteti të veçantë ruso-sovjetik. Një femër flokëverdhë, me shtat shumë të vogël por temperament të jashtëzakonshëm, Aleksandra Pahmutova që në moshën 10 vjeçare dëshironte të bëhej vetëm muzikante. Dhe synonte me kaq këmbëngulje drejt qëllimit dhe ëndërrës së vet sa që në vitin 1943, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, sapo përfundoi shpartallimi i trupave të Gjermanisë fashiste në Betejën e famshme të Stalingradit, vajza arriti ti bindë prindërit e vet për ta nisur atë nga vendlindja e bërë shkrumb e hi-Stalingradi-për studime në Moskë. “Sepse në qoftë se nuk do të ma plotësoni dëshirën unë do të merrem vesh me pilotët dhe ata do të më çojnë mua atje”, u deklaronte Aleksandra atyre. Si rezultat ajo mbaroi Shkollën qendrore muzikore për fëmijët veçanërisht të talentuar, ndërsa më pas Konservatorin e Moskës dhe në vitin 1953 Aleksandra mbante në duart e veta diplomën e kompozitores. Është mjaft interesant dhe simbolik vetë fakti, se në programin e diplomës së Aleksandra Pahmutovës, në një radhë me kompozimet e gjinisë akademike, bënte pjesë edhe kënga kushtuar heroit të Luftës së Dytë Botërore. Duke kujtuar ato kohëra Aleksandra Pahmutova vë në dukje si vijon: “Miliona qytetarë sovjetikë, moshatarë të mi, që në fëmijëri i edukonte radio. Ne dëgjonim muzikë të mrekullueshme simfonike, operistike, baleti. Por ne na rrethonin edhe këngë shumë të bukura sovjetike, ndër të tjera edhe këngët gjeniale të viteve të luftës. Kjo nuk mund të mos linte gjurmët e veta e të mos gjente pasqyrim në prirjen time muzikore”, thotë Aleksandra Pahmutova. Ndodhi një mrekulli e vërtetë në rrugën e fatit të Aleksandra Pahmutovas: dhuntia e saj e rrallë muzikore u sintetizua me talentin e spikatur dhe të thellë poetik të Nikollai Dobronravovit - bashkëshortit dhe bashkëautorit të saj me të cilin ajo shkroi dhjetra këngë nga më të mirat. Bashkëshortët nuk kanë qenë kurrë krijues kabinetesh, veçanërisht në vitet e rinisë së vet. Duke qenë njerëz energjikë, plot gaz e hare, vitalitet ata i kanë rënë kryq e tërthor gjithë vendit me interesim të gjallë për gjithçka që ndodhte atëhere: “Në vitet 1960-të, kujton Aleksandra Pahmutova, filluan disa ndryshime kolosale në vend, pikërisht ajo periudhë që nominohet me fjalën shabllon «Оттепель» “Ottepel” (“Periudha e frymëmarrjes së lirë-koha e dhënies së disa lirive politike, e dobësimit të egërsisë së regjimit politik”). Lëvizja e rinisë u ingranua në ndërtimet në Lindje të vendit, filluan të tingëllojnë këngët e bardëve, të Bullat Akuxhavës… Të gjitha këto ishin tej mase informale: njerëzit me këngë në gojë niseshin drejt Lindjes së vendit, me vëllimin e Remarkut apo poetit Evtushenko nën sqetull, me kitarë në dorë…”, kujton kompozitorja. Kjo romantikë shpirtdrithëruese e mbushur plot gëzim dhe emocione ngrihej më lart jetës së përditshme të zakonshme, mbi mërzitinë e monotoninë cfilitëse të asaj kohe: Kështu e ndjenin, e perceptonin atë epokë Pahmutova dhe Dobronravov, dhe po të tilla ishin edhe këngët e tyre romantike, prekëse dhe pa patos të ekzagjeruar, të rremë. Thonë, se mbi bazë të këngëve të Aleksandra Pahmutovës mund të ndjekësh gjithë historinë e vendit në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të. Dhe kjo është me të vërtetë kështu. Por kjo është gjithashtu edhe historia e shpirtit njerëzor me gëzimet, shpresat, dhimbjet, zhgënjimet e veta. Pikërisht ajo që dhe përbën plastin më të lartë shpirtëror, sakral të historisë.