Suedia dhe Finlanda lejuan më në fund shtrimin e gazsjellësit “Nord Stream” nëpër territorin e tyre. Por autoritetet e Suedisë paraqitën një sërë kushtesh të cilat mund të ndikojnë në shtyrjen e afateve të fillimit të realizimit në jetë të këtij projekti detar. “Nord Stream”, siç dihet, destinohet të bashkojë Rusinë me Gjermaninë nëpër fundin e Detit Balltik. Tubacioni i parë me kapacitet përçues deri në 27,5 miliardë metra kub gaz në vit planifikohet të ndërtohet në fund të vitit 2011, ndërsa tubacioni i dytë analog për nga kapaciteti me të parin, i cili do të shtrohet paralelisht me të, planifikohet të ndërtohet një vit më vonë. Përfaqësuesi i autoriteteve suedeze e pranoi pa doreza se në Stokholm nuk gjetën dot se ku të kapeshin më për ta kundërshtuar ndërtimin e gazsjellësit në fjalë dhe u detyruan të japin lejen me qëllim që të mos marrnin namin e shkelësve të së drejtës ndërkombëtare. Analisti i Kompanisë investuese-financiare “Solid” Denis Borisov thotë, se tani ndërtimin e “Nord Stream-it” nuk e pengon më asgjë: “Aktualisht, dhe kjo mund të konstatohet me një shkallë jashtëzakonisht të lartë propabiliteti, procesi kryesor dhe procedurat që kanë të bëjnë me kërkesat e paraqitura prej vendeve të pellgut të Detit Balltik, të gjitha këto janë bashkërenditur, janë rregulluar dhe tani nuk ekzistojnë më kurrëfarë pengesash formale për realizimin e projektit në fjalë në jetë. Vetë ai fakt, se Rusia arriti ti bindë partnerët e vet në lidhje me domosdoshmërinë, rëndësinë e projektit për sigurimin energjetik, për atë se do të respektohen të gjitha kërkesat e larta ekologjike, flet mbi kushtet e favorshme që janë krijuar tani për ndërtimi e “Nord Stream-it”. Sepse në fillim shumica mbante një qendrim tejet negativ ndaj realizimit të kësaj ideje”, shprehet Denis Borisov. E megjithatë, nga Suedia u paraqitën tre kushte kryesore. Së pari, turbullimi i ujit të detit gjatë shtrimit të tubacionit nëpër fundin e tij nuk duhet ti tejkalojë të 15 miligramët për 1 litër ujë. Së dyti, ndërtimi i gazsjellësit nuk duhet të bëhet në rajonet ku peshku merluc hedh vezët në periudhën nga maji në tetor. Dhe, së fundi, kompania ndërtuese duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për copat, mbeturinat e teknikës ushtarake dhe municionet që ndodhen në fund të detit që nga kohërat e luftës, ndërsa atje ku ekziston mundësia të realizojë edhe konservimin e tyre.