Godina Më 6 nëntor do të shpallen emrat e fituesve të Festivalit të II-të Botëror të Arkitekturës i cili po zhvillohet tani në qytetin spanjoll Barcelonë. Për herë të parë 10 arkitektë rusë hynë në Short List-ën e pretendentëve që po luftojnë për çmimin kryesor të festivalit-titullin “Ndërtesa më e mirë e botës-2009”. Midis këtyre pretendentëve është edhe arkitekti moskovit Boris Uboreviç-Borovskij, autori i projektit “Parus” (“Vela”): “Ne duhet të kuptojmë se integrimi ynë në procesin e përgjithshëm arkitekturor botëror vetëm sapo fillon, - thotë arkitekti dhe vazhdon të flasë më tej për projektin e vet: Godina e banimit “Parus” është ndërtesa më e bukur në rajonin Hodinskoje në Moskë. Ajo paraqet në vetvete një pallat 26 katësh që ngjason për nga forma e vet me një velë anijeje. Ne kemi punuar për një kohë shumë të gjatë mbi këtë projekt, edhe ndërtimi i kësaj godine mori shumë kohë, por si përfundim doli, siç më duket mua, një ndërtim mjaft interesant arkitekturor. Ne e kemi ekspozuar atë në forume të ndryshme dhe ai ka fituar tashmë çmimin e revistës “Future”, e cila e ka quajtur atë “Godina e vitet”, si dhe një sërë çmimesh të tjera”, thotë Boris Uboreviç-Borovskij. Me disa çmime kombëtare është nderuar edhe projekti i arkitektit Sergei Skuratov - Biznes Qendra “Danillovskij Fort” (“Fortesa Danillovskij”), që është një ndërtesë me tulla të kuqe lakonike, në stil të rreptë klasik. Me çmime ruse është nderuar edhe projekti i arkitektit Eugjeni Gerasimov-që përfaqëson në vetvete një kompleks hotelesh në sheshin Ostrovskij në Shën Peterburg. E gjithë godina është përshtatur për mrekulli në sfondin historik të godinave të qendrës së kryeqytetit verior, megjithëse autori nuk është përpjekur ti “nënshtrohet” imazhit klasik të godinave fqinje. Arkitekti dhe dizaneri Totan Kuzembajev merr pjesë në Festivalin e Barcelonës me projektin “Kaldaja”. Sipas këtij projekti është ndërtuar kaldaja në qendrën e pushimeve në periferitë e Moskës “Piragovo”. Totan Kuzembajev mendon, se idenë për këtë projekti atij ia dha me bujari vetë natyra: “Zakonisht objekte të tilla hyjnë në infrastruturën e ekonomisë së komunal-banesave dhe cilësohen me rëndësi dytësore, sekondare. Kurse ne konstruktuam një objekt me mjaft kolorit, diçka të ngjashme me skulpturën e Constantin Brancusit. Kaldaja është mbuluar me vazo lulesh në të cilat janë mbjellë bimë jeshile. Godina shndërohet në një kub të gjelbër, “zhduket” në pyll. Ideja është shumë e thjeshtë”, mendon Totan Kuzembajev. Ja ide dhe zgjidhje të tilla arkitekturore i propozuan jurisë së Festivalit të II-të Botëror të Arkitekturës pjesëmarrësit rusë.