Kompania “Naftogaz Ukraini” pranoi publikisht se ka probleme serioze me shlyerjen e pagesave për gazin e marrë tashmë rus. Sipas deklaratave të saj, situata e vështirë financiare që është krijuar në vend dhe borxhet e konsumatorëve të brendshëm ndërlikojnë grumbullimin e mjeteve për shlyerjen e plotë dhe në kohë të pagesave për gazin e importuar nga Rusia në muajin tetor. Problemi, me sa mund të gjykohet nga të gjitha, nuk qendron dhe aq në mungesën e mjeteve financiare se sa në mosdëshirën për të paguar sipas llogarive. Kryetarja e qeverisë ukrainase Julia Timoshenko konfirmon, se transferimin e parave nga Banka Qendrore e vendit e frenon Presidenti. Dhe ky pohim i saj vërtetohet edhe nga burime të tjera. Viktor Jushenko të hënën që lamë pas kërkoi nga kabineti i ministrave marrjen e masave urgjente për bërjen e ndryshimeve në kontratat e gazit me Rusinë, të lidhura më 19 janar të vitit 2009. Përfaqësuesi i Presidentit të Ukrainës për çështjet ndërkombëtare të sigurisë energjetike Bogdan Sokollovskij nuk e pa të domosdoshme bile as që ta fshehë se në qoftë se kontratat nuk do të rishikohen, atëhere Ukraina, Rusia dhe Europa nuk do ti shmangen dot lindjes së problemeve në të ardhmen. Sipas fjalëve të tij, aty nga mesi i vitit 2010 mund të “lindin kataklizma me transportimin e gazit në Europë”. Aleksandër Paseçnik, Kreu i Drejtorisë analitike të Fondit të sigurisë energjetike kombëtare, e lidh acarimin e problemit të gazit me fushatën elektorale presidenciale në Ukrainë: “Po zhvillohet faza aktive e betejës paraelektorale. Rrymat financiare nuk janë rishpërndarë. Ndërsa më saktë, nuk po rishpërndahen. Dhe në qoftë se më parë paratë i shkonin “Naftogaz-it”, tani ato do të drejtohen, në radhë të parë, për teknologjitë paraelektorale të grupimeve të klaneve kundërshtare: Timoshenko dhe Jushenko.