Fiodor LlukjanovMe kalimin e 20 viteve, pas rënies së murit të Berlinit, forca tërheqëse, joshëse e kapitalizmit u zvetënua në mënyrë të ndjeshme në sytë e njerëzve të cilët kanë jetuar dhe jetojnë në ish shtetet e kampit socialist. Për këtë dëshmon anketimi i mendimit të opinionit publik që u zhvillua nga Qendra studimore amerikane (Pew Research Center) në një sërë vendesh postkomuniste. Fjalë bëhet mbi tendencat prezente në gjirin e popullsisë së Çekisë, Polonisë, Lituanisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rusisë, Ukrainës si dhe Gjermanisë Lindore. Në këto vende, diku më shumë e diku më pak, kritikohet ekonomia e tregut dhe vlerat demokratike, të cilat në praktikë nuk i mbrojnë aspak gjithmonë të drejtat e njeriut. A ka mundësi vallë që prirje e tendenca të tilla të jenë të lidhura ndoshta me vështirësitë e kushtëzuara nga kriza ekonomike dhe financiare? Apo thjesht, aspitatat, shpresat e lidhura me jetën e mrekullueshme në kapitalizëm ishin si tepër naive, idealiste? Me këto pyetje ne iu drejtuam Fiodor Llukjanov-it, Kryeredaktorit të revistës «Россия в глобальной политике» (“Rusia në politikën globale”): “Këtu ka vend edhe njëra, edhe tjetra, - thotë ai. - Në fakt antitezë e socializmit ka qenë gjithmonë kapitalizmi, sepse të gjithë synonin drejt asaj që të ingranoheshin në rrethin e vendeve të begata me ekonomi të zhvilluar tregu. Por vendet e Europës Lindore u vërsulën me yrysh të madh në vorbullën e tregut të lirë pa krijuar fillimisht mekanizmat e amortizimit social, si ato që ekzistojnë në Perëndim. Për shumë europianolindorë reformat radikale ekonomike u bënë një goditje mjaft e dhimbshme. Kriza aktuale botërore nuk bëri gjë tjetër veçse e acaroi, e bëri më akute këtë situatë. Kjo - së pari. Së dyti, shpresat, pritjet e lidhura me jetën e mrekullueshme në kapitalizëm, të cilat për shumë veta asocioheshin me kopshtin e Parajsës, ishin tej mase të hiperbolizuara, - vazhdon më tej Fiodor Llukjanov. - Zhgënjimi pasues ishte i pashmangshëm: si në fushën e ekonomisë, ashtu dhe në sferën e demokracisë. Për më tepër se vendet që quheshin si kështjella të demokracisë, në radhë të parë, SHBA-s, për fat të keq dhanë shembuj për përsiatjet më të hidhura e më të trishtueshme në lidhje me atë, se demokracia shumë shpesh bëhet pre, viktimë e manipulimeve, makinacioneve politike, të paktën, në fushën informative”, thotë Fiodor Llukjanov. Po çfarë konkretisht keni parasysh Ju me këtë? “Me këtë konkluzion unë kam parasysh, p.sh., luftën në Irak, kur fillimisht nën parrullën e mbrojtjes së botës nga gjoja programi i rrezikshëm bërthamor i Irakut, ndërsa më pas nën parrullën e domosdoshmërisë së avancimit të demokracisë në Lindjen e Mesme u iniciua lufta. Rezultatet e saj janë jashtëzakonisht negative jo vetëm për Irakun dhe SHBA-s, por edhe për gjithë rendin ekzistues botëror, - mendon eksperti rus. - Jo shumë kohë më parë vendet e NATO-s nën presionin e SHBA-s zhvilluan operacionin ushtarak kundër Jugosllavisë. Pilotët amerikanë hodhën bomba pa numër mbi Beogradin dhe qytete të tjera të Serbisë. Pa më thoni, ku i shihni ju këtu vlerat demokratike? Mund të kujtojmë në këtë rast edhe historinë me burgjet sekrete të CIA-s amerikane në territorin e Europës, ku kishte kaq shumë gënjeshta evidente. Ky rast gjithashtu shkaktoi zhgënjim të madh tek ata që i besonin qorrazi Perëndimit, SHBA-s”, konkludon Fiodor Llukjanov.