Kryeministri Vladimir Putin e paralajmëroi zyrtarisht BE: skenaret e janarit të vitit 2009 me ndëprerjet, minimin e furnizimeve të gazit rus kërcënohen me përsëritje. Ukraina sërish refuzon të paguajë për lëndët e importuara energjetike hidrokarbure duke u referuar tek paaftësia e vet për pagesë. Dhe kjo nuk po ndodh tashmë për herë të parë. Monotonia brengosëse, e trishtueshme në veprimet e Kievit të shtyn të mendosh: mos është prezente vallë në konfliktet e përsëritura çdo vit pjesa përbërëse politike? Sepse çdo bllokim i furnizimeve të gazit paraqitet nga politikanët europianë si paaftësi e Moskës për të siguruar furnizime të garantuara për konsumatorët e BE. Një sërë ekspertësh rusë nuk përjashtojnë edhe mundësinë e asaj, se Ukraina dhe BE veprojnë së bashku. Kievi me liderët e vet drejtues antirusë e ndihmon Perëndimin për të dhënë goditje mbi imazhin e Rusisë dhe për ta spostuar me etapa atë nga tregu europian. Gjë për të cilën dëshmon qartë rënia e qenësishme e vëllimeve të eksportit të gazit rus në BE. Dëgjoni tani mendimin e Nikollai Kaveshnikov-it, bashkëpunëtorit shkencor të Institutit të Europës: “Unë nuk jam aspak ithtar i teorisë së komplotit dhe nuk më duket se situata rreth Ukrainës, rreth pagesave për gazin rus nxitet posaçërisht, me qëllim nga ndokush. Le të mos lëmë në harresë faktin se bota është pushtuar tani totalisht nga kriza ekonomike. Dhe Ukrainën ajo e goditi shumë rëndë, duhet thënë. Buxheti i vendit nuk është aspak i shëndoshë. Jo krejt rastësisht në fillim të vitit Ukrainës iu dhanë kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Edhe rrymat financiare të kompanisë vendase “Naftogaz” janë për të qarë hallin, sepse “Naftogaz-i” me vështirësi të madhe arrin të mbledhë paratë nga konsumatorët e brendshëm ukrainas. Ndërsa të gjitha paradhëniet e mundshme ai tashmë i ka marrë. Europianët nuk janë të gatshëm ti ofrojnë kredi Ukrainës për blerjen e gazit, ndërsa Rusia nuk është e gatshme ta bëjë e vetme një gjë të tillë. Prandaj, pa dyshim, problemi ekziston. Mbi prezencën e tij është folur që në muajin prill, kur patën vend gjithashtu paqartësi të caktuara në lidhje me atë, në se do të jetë vallë apo jo në gjendje “Naftogaz-i” të paguajë blerjen e gazit. Në takimin e së hënës të Kryeministrit Vladimir Putin me homologun e tij danez Lars Rasmussen problemi i transitit të gazit nëpërmjet territorit të Ukrainës ishte ndër më aktualët. Kryeministri rus i kujtoi mysafirit të lartë, se Moska i ka dhënë si parapagim, paradhënie “Naftogaz-it” 2.5 miliardë dollarë për pompimin e gazit rus nëpërmjet territorit ukrainas në Europë. Do të ishte mirë që edhe Bashkimi Europian ta hapte qesen e vet e ti jepte lëmoshën e premtuar tashmë shumë kohë më parë prej 1 miliardë eurosh aleatës së vet të ngratë. Por përgjigje nga Rasmussen nuk pasoi.