Guri i Solloveckut“Përndjekjet politike nuk kanë të justifikuar, sepse nuk mund të ketë gjë më të shtrenjtë se jeta njerëzore”, - deklaroi Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev në video blogun e vet. Ai sqaroi, se videomesazhin e vet ia kushtoi Ditës së Kujtimit të viktimave të përndjekjeve politike, e cila kremtohet më 30 tetor në Rusi. Për vendin, i cili përjetoi vitet tragjike të kohës së drejtimit të Josif Stalinit, ajo ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe: “Sot është Dita e Kujtimit të viktimave të përndjekjeve politike. Kaluan tashmë 17 vjet që nga koha kur ajo u duk në kalendar. Unë jam më se i bindur, se kujtimi i tragjedive kombëtare është po aq i shenjtë sa dhe kujtimi i fitoreve. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rinjtë të zotërojnë jo vetëm njohuri historike, por të kenë edhe ndjenja qytetare, të jenë të aftë të përjetojnë në mënyrë emocionale një nga tragjeditë më të mëdha, më të tmerrshme në historinë e Rusisë”, u shpreh Dimitri Medvediev. Presidenti kujtoi edhe një herë, se 30 tetori është Dita e Kujtimit të miliona fateve të gjymtuara, të prishura. “Njerëzve të pushkatuar pa hetim e pa gjyq, njerëzve të ngujuar në kampe burgimi dhe të surgjynosur nëpër internime, të cilëve iu mohuan të drejtat qytetare për atë “se janë marrë jo me punët e duhura” apo për shkak të “gjendjes, pozitës sociale”. Shoqëria ruse duhet të dijë dhe të mos harrojë kurrë të vërtetën mbi përndjekjet dhe njerëzit që iu kundërvunë, u bënë rezistencë atyre. Në kohërat sovjetike ata i quanin disidentë, njerëz me mendime krejtësisht të kundërta. Për këtë ata i nënshtoheshin përndjekjeve, burgoseshin. Mbi rëndësinë dhe domethënien e Ditës së Kujtimit për Rusinë flet tani përpara mikrofonit tonë Aljona Kozllova, Drejtoreshë e arkivit të GULAG-ut të Shoqatës historiko-kulturore dhe mbrojtëse të të drejtave të njeriut “Memorial”: “30 tetori është një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për Rusinë, sepse në këtë ditë në të gjitha skajet e vendit kujtojnë të përndjekurit dhe përpiqen të bëjnë ndonjë gjë për ta. P.sh., organizojnë udhëtime nëpër vendet e varrimit të tyre, shtrojnë darka përkujtimore përshpirtjeje, mbrëmje tematike në bibliotekat rajonale. Kjo ditë u jep mundësi ish të përndjekurëve, të cilët tashmë janë në moshë fort të thyer, të takohen me njëri-tjetrin dhe të kujtojnë fatin e vet të njëjtë, humbjet e tyre të parikuperueshme. Kjo Ditë është e rëndësishme për ti kujtuar shoqërisë të gjitha tmerret e privacionet që iu desh të përjetojnë atyre”, thotë Aljona Kozllova.