HagaMë 26 tetor në planin e mbledhjeve të Gjykatës së posaçme të Hagës figuron zhvillimi i procesit gjyqësor ndaj ish Presidentit të Republikës Serbe Boshnjake Radovan Karaxhiç. Duam t’ju kujtojmë, se kundër 64 vjeçarit Karaxhiç janë ngritur akuza në lidhje me 11 nene, ndër të tjera edhe për gjenocid kundër popullsisë me kombësi jo serbe të Bosnjë e Hercegovinës në periudhën e luftës së viteve 1992-1995. Gjyqi filloi, por me skandal. Në sallë mungonte vetë i pandehuri. Është mjaft interesant fakti, se rregullat e Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë përjashtojnë mundësinë e zhvillimit të procesit gjyqësor në mungesë të të pandehurit. Vetë procesi gjyqësor vazhdoi më pak se 20 minuta. Radovan Karaxhiç që javën e kaluar e vuri në dijeni zyrtarisht gjykatën mbi synimin e vet për ta bojkotuar procesin për shkak se atij nuk iu dha aq sa duhet kohë për të përgatitur mbrojtjen e vet. Sipas mendimit të tij, duke nxituar zhvillimin e procesit gjyqësor me këtë Gjykata i “mohon atij të drejtën për drejtësi”. Por, sipas pikëpamjes së Kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë Serge Brammertc, Karaxhiçit iu dha një kohë mëse e mjaftueshme për tu përgatitur për procesin gjyqësor - plot 15 muaj që nga koha e arrestimit të tij. “Në qoftë se ai pati kohë për të paraqitur gjatë kësaj periudhe kohore 2050 ankesa e lutje, me siguri, ka patur kohë edhe për tu përgatitur për procesin gjyqësor”, - vuri në dukje në një bisedë me gazetarët ai. Eksperti ynë Aleksandër Mezjaev, specialist për të drejtën ndërkombëtare, nuk është plotësisht dakort me mendimin e zotit Brammertc. Ja kundër argumentet e tij: “Megjithëse kaloi më shumë se 1 vit që nga koha kur Karaxhiç mbahet i ngujuar në burg, dhe, siç do të dukej në vështrim të parë, gjithë këtë kohë ai e shfrytëzoi për të përgatitur mbrojtjen e vet, në të vërtetë nuk është kështu. “Akti paditës ndryshon vazhdimisht dhe i akuzuari nuk e di se në lidhje me ç’nene të përgatitet për mbrojtje. Del, se shpesh herë Karaxhiç e ka humbur kot kohën e vet. Është interesant fakti, se Dhoma e apelit e Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë përsëriti pikë për pikë atë që në kohën e vet iu tha Sllobodan Millosheviçit: i pandehuri, i cili vendosi të vetëmbrohet personalisht, i mohon vetes epërsitë, avantazhet që gëzon ai që vendos të mbrohet me anë të avokatit. Karaxhiç, pikërisht dhe u dënua për atë, se ngul këmbë të mbrohet vetë në gjyq. Eksperti ynë Aleksandër Mezjaev e quan të fabrikuar akuzën e ngritur kundër Radovan Karaxhiçit: “Dëshmi, fakte reale për të provuar fajin e Karaxhiçit nuk ka. Për këtë dëshmon qartë i ashtuquajturi pretrial brief, dokumenti i prokurorisë, në të cilin parashtrohen shkurtimisht provat faktike dhe lista e dëshmitarëve. Në qoftë se do ti hidhet një sy këtij dokumenti, duket në mënyrë evidente, se prokuroria po përsërit gënjeshtrën e hapur që është shfrytëzuar tashmë më parë për dënimin e ish Zëdhënësit të parlamentit të Republikës Serbe Momçillo Kraishnik me 27 vjet heqje lirie. Atëhere u citua fjala e mbajtur prej tij, në të cilën ai u shpreh mbi domosdoshmërinë e respektimit të vendimeve të marra sipas përkatësisë etnike të Bosnjë e Hercegovinës. Kjo u shfrytëzua si dëshmi e synimit të tij për të kryer gjenocid, megjithëse ndarjen sipas përkatësisë etnike e parashikon bile edhe marrëveshja e Dejtonit, mbi të cilën dhe bazohet ekzistenca e Bosnjë e Hercegovinës bashkëkohore.