Monedhat Foto RIA LajmetDuke filluar që nga viti i ardhshëm kartëmonedhat 10 rubëlshe nuk do të hidhen më në qarkullim. Vërtet, siç vë në dukje botimi “Rossijskaja gazeta”, kjo nuk do të thotë aspak se ato nuk do të përdoren më, apo se këto kartëmonedha do ti heqin nga qarkullimi. Dhjetë rubëlshat do të ekzistojnë për sa kohë që ato do të vazhdojnë të mbeten nëpër duart e popullsisë. Përsa i përket monedhave të vogla: kopeikave, 1 rubëlshave e të tjera, tani për tani nuk ekzistojnë plane për ndalimin e stampimit të tyre. Megjithëse Sberbank-a tashmë që prej kohësh pat dalë me propozimin për ti hequr gradualisht nga qarkullimi monedhat e vogla, vendimi për këtë nuk është marrë ende. Banka e Rusisë nuk ka të drejtë ta marrë këtë vendim vetë. Por problemi megjithatë ekziston. E gjithë puna konsiston në atë, se prodhimi i të gjitha monedhave me vlerë deri në 5 rubla del është jofitimprurës për shtetin. Kostoja e disa monedhave e tejkalon në disa herë vlerën e tyre nominale. Sa më e vogël të jetë monedha, aq më jofitimprurëse për shtetin është ajo. Në Rusi një qytetari i bien për frymë më shumë monedha se sa në çdo vend tjetër të botës. Sipas llogaritjeve të përafërta, mesatarisht nga 300 copë për çdo qytetar rus. Megjithëse shumë shpesh këto monedha të vogla u grumbullohen dhe u bëhen barrë e pavlefshme njerëzve në shtëpi. Se ç’do të bëhet me këto kopeika tani për tani nuk është aspak e qartë , përfundon botimi “Rossijskaja gazeta”.


Komentimi i artikullit të ditës


Shefja e departamentit të qarkullimit cash-monetar të “Nordea-bank” Tatiana Savostjanova tregon tani përpara mikrofonit tonë se për ç’arsye monedhat e vogla nuk janë hequr deri tani nga qarkullimi: “Nuk e di për fat të mirë apo të keq, por tek ne çmimet nominohen akoma edhe me monedha të vogla. Prandaj llogaritë e ndërsjellta me klientët kushtëzojnë megjithatë prezencën e monedhës së vogël. Prandaj Banka e Rusisë si dhe organet e tjera të ushtrimit të kontrollit nuk janë të interesuara në atë që të përshpejtojnë zgjidhjen e këtij problemi. Në qoftë se çmimet tek ne do të ishin pak a shumë të rrumbullakosura, atëhere, ndoshta, do të ishte shtruar për shqyrtim çështja që ka të bëjë me atë, në se duhen apo jo monedhat e vogla. Por meqenëse tek ne, p.sh., në farmaci, çmimet janë të përcaktuara me saktësi deri në një kopeika, jemi të detyruar të shfrytëzojmë monedhat e vogla. Heqja e tyre nga qarkullimi tani nuk do të ishte veprim i drejtë”. Ky ishte komenti i Tatiana Savostjanovas, Shefes së departamentit të qarkullimit cash-monetar të “Nordea-bank”.