Zëri i Rusisë Oleg Deripaska Foto RIA Lajmet Një skandali i ri plasi rreth biznesmenit rus, Drejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Bazel” Oleg Deripaska, të cilin gazeta spanjolle “El Mundo” e akuzoi për pastrim shumash të mëdha parash të pista nëpërmjet llogarive bankare të mafias ruse. Është mjaft interesant fakti, se kurrëfarë deklaratash nga ana e drejtësisë spanjolle as para publikimit dhe as pas tij në gazetën e sipërpërmendur në adresë të Deripaska-s nuk ka patur. Dhe pikërisht kjo gjë të bën të përsiatësh në lidhje me atë: se mos është vallë ky një publikim i atyre që merren me politikën e “zezë” të marrëdhënieve me publikun (public relations) të drejtuar kundër biznesmenit rus? Sipas të dhënave të gazetës “El Mundo” në periudhën e viteve 2001-2004 Oleg Deripaska ka marrë pjesë në pastrim parash të pista me shumë 4 milionë euro nëpërmjet llogarive bankare të mafias ruse në Spanjë. Gazeta referohet tek proceset gjyqësore që janë zhvilluar më parë kundër kompanive që merreshin me operacione të paligjshme financiare. Në hetimet e çështjeve të bujshme pat figuruar edhe emri i biznesmenit, por më vonë informacioni ishte hedhur poshtë: “Oleg Deripaska nuk ka të bëjë dhe nuk ka patur të bëjë fare me këto kompani, ndër të tjera edhe me ato që janë përmendur në shtypin spanjoll, kjo u konfirmua nga vendimet përkatëse gjyqësore të marra në kuadrin e proceseve të sipërpërmendura gjyqësore”, thuhet në deklaratën zyrtare të përfaqësuesit të biznesmenit publikuar në site e kompanisë “Bazel”. Fakti, se Rusia po fillon të hyjë tani aktivisht në arenën ndërkombëtare dhe pavarësisht nga kriza financiare botërore po mban kursin drejt stabilitetit, të cilin pjesërisht e mbrojnë dhe e garantojnë edhe oligarkët rusë, mund të mos u vijë fort për mide fqinjëve europianë. Rrënjët e pakënaqësisë së shprehur në adresë të Deripaska-s duhen kërkuar jo në çështjet e ditëve të kaluara, fort të largëta, por në diçka tjetër. Për këtë është mëse i bindur specialisti për të drejtën ndërkombëtare, doktori i shkencave, profesor Naum Sonjkin: “Çdo veprim i kësaj natyre, si ai i drejtuar kundër Deripaska-s, mund të drejtohet jo ndaj ndonjë personi konkret, por ndaj vetë Rusisë. Në botë gjithmonë ka ekzistuar një farë konkurrence e caktuar. Veçanërisht në mjedisin e aktivitetit sipërmarrës. Prandaj për dikë në momente të caktuara bëhet punë e leverdisshme “mbytja, fundosja” e konkurrentëve. Se kuj i leverdis një gjë e tillë unë nuk mund ta them me saktësi, por fakti se kjo ndodh në të vërtetë është një nga parimet e biznesit”, konkludon Naum Sonjkin. Oleg Deripaska nuk ka ndërmend ti lërë pa përgjigje akuzat gazetareske. Ai tashmë iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme të Rusisë me kërkesën e saktësimit, verifikimit të të dhënave të përmendura në tekstin e gazetës “El Mundo” dhe shprehu gatishmërinë për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtësisë spanjolle.