Zëri i Rusisë Sipas vlerësimeve të ekspertëve, për ndihmë psikologjike aktualisht kanë nevojë gati 90 % e qytetarëve rusë. Simptoma evidente të asaj gjendjeje kur njerëzve jo gjithçka u shkon mbarë e mirë në jetë janë, në veçanti, gjendja e keqe shpirtërore dhe prodhimtaria e ulët e punës, po ashtu si dhe abuzimi me pijet alkoolike, narkomania. Siç shkruan gazeta “Novie Izvestia”, në qoftë se qytetarët rusë do të arrinin të zgjidhnin problemet e veta psikologjike, atëhere jetëgjatësia mesatare e popullatës në vend do të rritej deri në 6-7 vjet. Për shumicën e rusëve janë karakteristike simptoma të tilla si mosshfaqja e iniciativës, acarimi i theksuar, të prekurit shpejt, ndjeshmëria e tepruar si dhe mendjemadhësia. Pasoja të drejtpërdrejta të kësaj gjendjeje bëhen: efektiviteti i ulët në punën kryesore, konfliktet me njerëzit rreth e rrotull dhe humori i keq. Mjekët e praktikës së përgjithshme regjistrojnë diagnozën “depresion” vetëm në 5 % të rasteve, meqenëse nuk janë specialistë në këtë sferë. Disa njerëzve profesionin ua kanë zgjedhur prindërit e tyre dhe këta persona më pas gjatë gjithë jetës vuajnë për shkak të mosrealizimit të aftësive të veta. Këto probleme e vuajtje ata i zhvendosin në gjirin e familjes. Të gjitha këtyre i shtohen edhe streset e shkaktuara nga ritmet e tensionuara të jetës bashkëkohore. Ngandonjëherë njerëzit e martuar formalisht nuk i lidh më asgjë, e kanë konsumuar raportin e tyre, dhe me kalimin e viteve ata nuk ndahen vetëm për shkak të varfërisë, sepse nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare për të blerë një apartament të dytë si dhe për arsye të traditave e nocioneve të diskutueshme që u janë imponuar atyre që në fëmijëri-se me martesë njeriu lidhet vetëm një herë në jetë. Psikoterapeutët këshillojnë për profilaktikën e çrregullimeve nervore: të flini sa më shumë, të punoni pa mbingarkesa e sforcime dhe të përqafoheni më shpesh me të afërmit tuaj.


Komentimi i artikullit të ditës


Akademiku i Akademisë Ekologjike Botërore, psikologu Leonid Kitajev-Smik flet përpara mikrofonit tonë mbi rritjen e popullaritetit të psikoanalistëve dhe problemet e lidhura me këtë: “Në lidhje me krizën, profesioni i psikologut dhe psikoterapeutit, sigurisht, që vjen duke u bërë gjithnjë e më i kërkuar. Kriza ekonomike provokon acarimin e nervave-njeriu humbet shpresën në të ardhmen. Por këtu përvijohen dy probleme. Së pari, specialistë seriozë në këtë fushë ka shumë pak. Ata nuk janë elemente të kulturës, si, p.sh., në SHBA-s, ku të tillë numërohen me qindra herë më shumë. Që këtej rrjedh edhe vështirësia e dytë. Shumë persona fillojnë ta përfytyrojnë e ta quajnë veten si psikoterapeutë pa kurrëfarë arsyesh e bazash për këtë. Pra, këta janë mashtrues, sharlatanë të llojit të vet. Dhe duhet thënë, se shpesh herë ata edhe vetë mendojnë se mund të ndihmojnë të tjerët. Ndërsa, në të vërtetë, ata shkaktojnë më shumë dëm, se sa sjellin dobi.

 Përqafime falas