Zëri i Rusisë Sipas anketimit të zhvilluar nga një prej Internet-kompanive, pothuajse 1 ndër çdo tre adoleshentë, përdorues të Runetit, ose e ka provuar të ashtuquajturin “audionarkotik”, ose ka ndërmend ta bëjë në një kohë të afërt një gjë të tillë. Ky produkt tejet i dyshimtë ka fituar popullaritet mjaft të madh falë përpjekjeve të shitësve që vendosin në hapësirën virtuale reklamën e cannabisit digital dhe kokainës digitale, duke konfirmuar gjatë kësaj, se ato të krijojnë po ato ndjesi si dhe narkotikët e vërtetë. Ndërkohë që kushtojnë shumë më lirë-nga 4 deri në 100 rubla për “një dozë”. Distributorët e narkotikëve digital konfirmojnë, se ata janë krejtësisht të padëmshëm për shëndetin. Këto nuk janë gjë tjetër veçse faile (file) muzikore, dëgjimi i të cilave mund të ndryshojë gjendjen shpirtërore të njeriut nga një kah në tjetrin. Duke transmetuar muzikë në një frekuencë të caktuar mund të arrish rezultatin e rilaksimit ose të shpërthimit të euforisë tek dëgjuesi. Efekti maksimal arrihet gjatë përdorimit të frekuencave të ulta që nuk i kalojnë të 25 Hercët gjatë dëgjimit të muzikës me kufje (kjo gjë rrit vibracionin). Mjekët mbajnë një qendrim jashtëzakonisht negativ ndaj audionarkotikëve. Kryespecialisti i Klinikës së Adaptimit psikologjik, mjeku-narkolog Aleksandër Magalif është më se i bindur, se ato mund të shkaktojnë jo vetëm halucinacione dëgjimore, por edhe të mësuarit me to, varësinë prej tyre: “Frekuencat e ulta, në tërësi, janë shumë të dëmshme për trurin. Krijohet njëfarëlloj rezonance tek neuronet, e cila çon në ndryshimin e gjendjes së vetëdijes (kishiencës). Dhe gjendja e krijuar nga ky efekt mund të krahasohet me veprimin e narkotikëve në organizmin e njeriut. Ndërsa kur njeriu për forcë rrethanash të ndryshme nuk mund të shfrytëzojë më këtë faktor, atëhere atij fillon ti zhvillohet gjendja të cilën ne e quajmë sindromë abstinence. Kjo është pikërisht ajo gjendje kur njeriu provon diskomfort shpirtëror dhe bile trupor. Dhe atëhere ai nuk mund të merret dot më me asgjë tjetër deri sa të mos vërë këtë muzikë për ta dëgjuar. Pa dyshim, të gjitha këto shkaktojnë të mësuarit jashtëzakonisht të rrezikshëm me të, varësinë shkatërrimtare prej tyre. Përfaqësuesit e Shërbimit Federal të Rusisë për ushtrimin e kontrollit ndaj trafikimit të drogës mendojnë se audiostimulatorët nuk janë narkotikë në kuptimin e drejtpërdrejtë, të plotë të kësaj fjale. Sipas mendimit të Drejtorit të këtij Shërbimi Viktor Ivanov, me qëllim që audionarkotikët të njihen në mënyrë legjislative si të rrezikshëm duhet siguruar fillimisht përfundimi zyrtar i specialistëve. “Vetë nocioni i përcaktuar si narkomani digitale është, sigurisht, i hiperbolizuar. Por ajo ka megjithatë njëfarëlloj baze nën vete. Ç’bazë, — do të pyesni ju? Varësia nga narkotikët, me që ra fjala, po ashtu si dhe nga alkooli, ka rrënjë psikiatrike. Transmetimet në formatin digital ushtrojnë ndikim të caktuar në psikikën e njeriut, ato gjithashtu stimulojnë të mësuarit, varësinë nga ato. Prandaj kjo hyn në kompetencat e mjekësisë sonë, të psikiatrisë sonë dhe sociologëve tanë, që duhet të merren me rregullimin e këtij problemi. Ndërsa më pas kjo duhet të kalojë në stadin e miratimit të akteve përkatëse administrative. Aktualisht Shërbimi Federal i Rusisë për ushtrimin e kontrollit ndaj trafikimit të drogës nuk ka kurrëfarë arsyesh, argumentesh ligjore për zhvillimin e luftës kundër kësaj dukurie. Nga ana e vet përfaqësuesit e MPB mendojnë, se distributorët, përhapësit e këtij produkti të ri fitojnë para për llogari të një kompleksi tingush që nuk do të thonë asgjë, nuk kanë kurrëfarë kuptimi. Ndërsa kjo mund të kualifikohet si mashtrim që i nënshtrohet ligjërisht dënimit.