Zëri i Rusisë Nënshkrimi në Zurich i protokollit armeno-turk mbi rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe mbi zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh nuk bëri gjë tjetër veçse theksoi karakterin ekskluzivisht simbolik të këtyre synimeve. Kështu mendon vëzhguesi i pavarur Boris Tumanov. Ai përsiat më tej si vijon: Dy çështje kryesore të diskutueshme që ndajnë Erevanin dhe Ankaranë: njohja e gjenocidit armen dhe, sigurisht, problemi armeno-azerbajxhanas, i cili ka të bëjë me statusin e Nagorni Karabahut, si dhe më parë, duken tejet problematike pavarësisht nga përpjekjet shumë të kujdesshme që ndërmerren prej komunitetit ndërkombëtar për të propozuar zgjidhjen e tyre. Për Presidentin e Armenisë Serxh Sarkisjan, i cili ndeshet brenda vendit të vet me rezistencën e papajtueshme nga ana e opozitës si dhe me rezistencën e pjesës më të madhe të diasporës armene, do të jetë shumë e vështirë të arrijë ratifikimin e dokumenteve të nënshkruara, gjë pa të cilën ato do të mbeten gërmë e vdekur. Nga ana tjetër nuk mund të mos merret parasysh edhe pozita e Azerbajxhanit, i cili tashmë shprehu pakënaqësinë e vet në lidhje me nënshkrimin e protokolleve në Zurich që nuk marrin parasysh rregullimin e statusit të Nagorni-Karabahut. Dhe kjo, pavarësisht nga saktësimi i Ministrit rus të punëve të jashtme Sergei Lavrov, se këto dokumente nuk mund ti shkaktojnë dëm “palës së tretë”. Siç mund të vihet në pah, në këtë situatë Armenia ka më pak liri për manovrim. Duke u ndodhur midis Azerbajxhanit, Turqisë dhe Gjeorgjisë dhe e ndarë nga Rusia, “partnerja e saj strategjike”, Armenia ka nevojë në mënyrë jetike për kontakt normal me botën e jashtme, të cilin asaj mund t’ia sigurojë Turqia. Vetkuptohet, se edhe Turqia ka se ç’të humbasë në rast se protokollet e Zurichut nuk do të gjejnë realizim në jetë. Por telashet e ngatërresat e saj do të kufizohen në rastin konkret me shtyrjen për një afat të pacaktuar të realizimit të ambicjeve rajonale të Ankarasë, e cila synon të forcojë ndikimin e vet në Kaukazin e Jugut. Në të njëjtën kohë këto plane të Turqisë përkojnë me interesat e Europës që synon të garantojë sigurinë e itinerarëve të naftë dhe gazsjellësve gjatë vendosjes së stabilitetit në rajon. Moska është gjithashtu e interesuar që të gjejë tek Turqia një partnere luajale dhe të sigurt në Transkaukazi. Por është gjithashtu më se evidente edhe ajo, se e ardhmja e afërt e protokolleve armeno-turke do të varet, para së gjithash, nga aftësitë e Presidentit armen për të bindur bashkatdhetarët e vet, veçanërisht, në Armeni, se afrimi me Turqinë përbën në vetvete një domosdoshmëri jetike për vendin. Vërtet, ai do ta ketë tejet të vështirë ta bëjë një gjë të tillë pas demarshit të Kryeministrit turk Rexhep Erdogan, i cili deklaroi të dielën se Turqia do ta hapë kufirin e vet për Armeninë vetëm pas rregullimit të konfliktit të Nagorni-Karabahut.