Zëri i Rusisë Kryetarët e shteteve në Samitin e sotëm të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP), që po mbahet në kryeqytetin e Moldavisë, do të duhet të aprovojnë kryesimin rus në vitin 2010 dhe të diskutojnë masat e përbashkëta për kundërveprimin ndaj krizës ekonomiko-financiare në vendet e Bashkësisë. Për të zhvilluar negociata plotësisht të vlefshme midis tyre ata nuk do të mund ti pengojë bile as mungesa e disa homologëve të vet nga një sërë vendesh. Në takimin në kryeqytetin e Moldavisë, përveç kryetarit të shtetit të zgjedhur pak kohë më parë të vendit zot shtëpie të Samitit, janë të pranishëm presidentët e Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë, Armenisë, Azerbajxhanit dhe Kirgizisë. Në të njëjtën kohë nuk dihet asgjë mbi pjesëmarrjen e palës uzbeke në samit. Kryetarët e shteteve të Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenisë në takimin me homologët e tyre të Bashkësisë nuk erdhën vetë por dërguan kryetarët e qeverive. Ata e justifikojnë mungesën e vet me referimin tek arsye plotësisht të justifikueshme. Mungesa e Nursulltan Nazarbajevit nuk sqarohet zyrtarisht. Por sido që të jetë puna, pas një jave presidentët e Rusisë dhe Kazakistanit do të takohen në etapën përfundimtare të manovrave stërvitore të Organizatës së Traktatit mbi Sigurimin Kolektiv në poligonin kazakistanas, kështu që do të ketë platformë për rregullimin e ndofarë mosmarrëveshjeve të mundura. Duhet thënë se mungesa e liderëve të Azisë së Mesme në Samit nuk e shqetëson aspak Moskën. Siç tha Zëvendësi i parë i Kreut të MPJ të Federatës Ruse Andrei Denisov, histori të tilla kanë patur vend në praktikën e BSHP-ra, kështu që s’ka përse të dramatizohet situata. Kuorumi për miratimin e vendimeve të duhura ekziston. Vërtet, situata e krijuar bëri të lindin shumë e shumë presupozime në lidhje me atë se Bashkësia i konsumoi tashmë mundësitë e veta për ekzistencë. Ky konkluzion nuk i përgjigjet aspak realitetit objektiv. Fjalët e përhapura mbi vdekjen e BSHP janë fort të hiperbolizuara, mendon Drejtori i Institutit të vendeve të BSHP Konstantin Zatulin: “BSHP, pa dyshim, me vështirësi do të mund ti qendrojë kritikës në qoftë se ndaj saj do të mbahet një qendrim i tillë si ndaj ndonjë shoqërie aksionere e cila është e detyruar sipas përfundimeve të çdo viti të shtojë dividentet në llogari. Por BSHP është strukturë rajonale dhe ajo mund të krahasohet vetëm me bashkime të një tipi me të. Shpresat tona të mëdha të lidhura me BSHP janë trashëgimi e asaj periudhe kur të gjithë e perceptuan krijimin e BSHP si njëfarë lloj zëvendësuese të Bashkimit Sovjetik. Ndërsa ajo është krejtësisht e kundërta, distancimi nga shteti unik në favor të një bashkimi mjaft të lirë rajonal”, thotë Konstantin Zatulin. Ia vlen të kujtohet këtu, se BSHP është një platformë e rëndësishme dhe ngandonjëherë unikale, duhet thënë, për realizimin e ideve të planit humanitar, vazhdon më tej Konstantin Zatulin: “Sa e sa jetë mund të shpëtohen me unifikimin e standarteve të transfuzionit të gjakut dhe krijimin e bankës unike të gjakut të dhuruar në kuadrin e BSHP. Sa e sa fate njerëzish mund të gjejnë realizim të suksesshëm falë njohjes reciproke të diplomave të arsimit të lartë në kuadrin e BSHP. Sepse ekziston një masë e tërë problemesh jetike rutinë të cilat nuk mund të quhen kurrësesi vogëlsira”, shprehet Konstantin Zatulin. Ja përse një nga pikat kryesore të rendit të ditës të Samitit të tanishëm në Kishinjov do të bëhet diskutimi i përgatitjes së festimit vitin e ardhshëm të 65 vjetorit të Fitores në Luftën e Dytë Botërore.