Në se do të vazhdojë vallë Bashkimi Europian zgjerimin e vet dhe nëse do të ketë ai presidentin e vet, të gjitha këto varen sot në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Irlanda. Atje po zhvillohet votimi i përsëritur për ratifikimin e Traktatit të Lisbonës mbi reformimin e BE. Qëllimi kryesor i autorëve të Traktatit të Lisbonës është bërja e bllokut prej 27 vendesh më të fortë e më stabil. Për këtë propozohet miratimi i postit të presidentit të BE, i cili do të zgjidhet çdo 2 vjet e gjysëm, vendosja e postit të ministrit të punëve të jashtme, ndryshimi i procedurës së marrjes së vendimeve dhe zgjerimi i plotfuqishmërive të Parlamentit Europian. Përveç kësaj, planifikohet zgjerimi i rrethit të problemeve, vendimet në lidhje me të cilat të mund të merren jo me unanimitet, por me shumicë votash. Kjo duhet të ndikojë pozitivisht, në veçanti, në marrëdhëniet e BE me Rusinë. Irlanda është i vetmi vend, i cili është i detyruar sipas vendimit të Gjykatës së vet Kushtetuese, ti vërë veshin mendimit të banorëve të saj. Reformimi dhe, rrjedhimisht, edhe aftësia jetësore e BE u ndodhën nën rrezik prej kësaj. Prandaj, mendon Drejtori i Institutit të Problemeve të Globalizimit Boris Kagarlickij, nëpunësit europianë bënë gjithçka të mundur me qëllim që të rishikohej vendimi i popullit irlandez: “Nëpunësit europianë presin nga irlandezët kapitullim nën presionin e peshës së burrokracisë europiane. Kurse në të vërtetë problemi konsiston në atë, se shumica dërrmuese e europianëve del kategorikisht kundër Traktatit të Lisbonës. Dhe e vetmja mënyrë për t’ia imponuar këtë Traktat banorëve të Europës është thyerja e procedurave demokratike. Në të vetmin vend, ku tashmë u zhvillua njëherë referendumi, banorët po i detyrojnë të rivotojnë edhe një herë, me qëllim që t’ua imponojnë këtë rezultat i cili qe planifikuar që më parë”, thotë Boris Kagarlickij. Por kjo nuk do të thotë aspak se rezultati i referendumit të përsëritur do të jetë patjetër pozitiv. Dhe, megjithëse zhvillimi në vigjilje i sondazheve të mendimit të opinionit publik flet mbi qendrimin pozitiv të irlandezëve, nuk ia vlen të mbështetesh plotësisht tek rezultati i tyre, sepse edhe herën e parë tablloja e krijuar në prag të votimit ishte gjithashtu në favor të Traktatit.