Për të thyer rekord të ri botëror Elena Isinbajeva-n mund ta pengojë vetëm dashuria. Këtë gjë e demonstroi mjaft qartë debutimi i saj në kampionatin e paradokohshëm botëror në Berlin.
Elena ka marrë pjesë në tre Lojra Olimpike. Debutimi i saj në Sidnei në vitin 2000 doli për sportisten i pasuksesshëm. Por tashmë që në Lojrat e tjera në Athinë Elena e zbukuroi fitoren e vet të parë olimpike me një rekord të mrekullueshëm botëror. Pas Olimpiadës Presidenti i atëhershëm i Rusisë Vladimir Putin i tha Isinbajevës: “Ah sa bukur që keni kërcyer ju me shkop! Kurse unë isha mjaft i emocionuar dhe përjetoja me tensionim kur ju mbeti për realizim vetëm një tentativë, ajo e tretë dhe e fundit”.
Pas fitores së korrur në Greqi Elena pa pritur ndërroi trajnerin e vet. Sportistja e braktisi vendlindjen e saj Vollgogradin me qëllim që të vazhdonte stërvitjet në Doneck nën drejtimin e Vitali Petrovit, ish trajnerit të idhullit të saj Sergei Bubka. Jo krejt rastësisht atë e krahasojnë me rekordmenin 35 herësh botëror në disiplinën e kërcimit me shkop, Sergei Bubkën. Isinbajeva-n e quajnë bile edhe “Bubka me fustan”. Në Olimpiadën e radhës që u zhvillua në Pekin Elena theu rekordin e vet të 24-t botëror.
Dhe ja, kampionati botëror në kryeqytetin e Gjermanisë. Ajo nuk kapi dot bile as lartësinë fillestare, atë të startit. “Ngandonjëherë në kokë të lindin mendime krejtësisht të abstraguara nga sporti që të shpërqendrojnë, - pranoi Isinbajeva. - Por unë nuk do ti lejoj më askuj që këtej e tutje që të hyjë në mes meje dhe sportit si pykë”.
Në fakt, siç shkruajnë tabloidët, historia e saj e dashurisë me njëfarë DJ (Disc Jockey) të quajtur Artiom reduktoi kohën e stërvitjeve të saj dhe nuk bëri gjë tjetër veçse e ngarkoi atë me përjetime emocionale private krejtësisht të paduhura për momentin.
Në përgjithësi duhet thënë se Elena ka një numër të madh adhuruesish e kavaljerësh që e rrethojnë vazhdimisht atë. Siç është bërë traditë në Kaukaz (ndërsa babai i sportistes ka lindur në Dagestan), të afërmit e Isinbajevës ishin vënë në kërkim të një burri të mirë për të. Por Isinbajeva diti se si tu përgjigjet shkesëve të shumtë. 
- “Në qoftë se djemtë tuaj do të mund të mbajnë në duar, të paktën, gjysmën e shkopit me të cilin kërcej, unë atëhere jam dakort”. Por shkop me vete nuk kishte në ato momente dhe atëhere Elena shpiku, trilloi një provë të re për pretendentët e dorës së saj - ajo i detyroi ata që të kapërcejnë lumin me gjerësi afro tre metra. Por të gjithë dhëndurët ranë në ujë. Dhe tani fatin e saj Isinbajeva do ta përcaktojë vetë. Në Dagestan, për nder të sportistes së famshme, mbyllën një fuçi 200 litërshe konjaku. Elena premtoi ta hapë atë pas Olimpiadës së vitit 2012 në Londër.
Në rrugën e atletikës së lehtë Elena hyri, mund të thuhet, disi vonë për një sportiste, në moshën 15 vjeçare. Deri përpara kësaj 10 vjet ajo ia pat kushtuar gjimnastikës, por shtati i saj i lartë u bë pengesë për arritjen e majave të larta në këtë disiplinë sportive. Kurse motra më e vogël e Elenës, me të cilën në fëmijëri ajo maste shpesh herë forcat, nuk mori rrugën e sportit të madh. Ajo u trajnere fitnessi.
Mbas disfatës së vet sportive në Berlin Elena nuk e la gjatë veten në krahët e dëshpërimit. Tashmë që pas një jave në Zurich sportistja ruse në tentativën e parë kapërceu lartësinë 5.06 metra duke thyer me këtë një rekord të ri botëror. Për Elenën ai u bë rekordi i 27-të. Jo më kot sportisten e quajnë “mbretëreshë” në llojin mbretëror të sportit-atletikën e lehtë.

Jepi, Elena Isinbajeva!