Zëri i Rusisë do të vazhdojë, si dhe më parë, të tingëllojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE). Ajo demonstroi këto ditë gjykimin e vet të shëndoshë kur mori vendimin për ti zgjatur plotfuqishmëritë delegacionit rus, të cilit Gjeorgjia propozoi ti hiqet e drejta e zërit për shkak të ngjarjeve të gushtit të vitit 2008 në Osetinë e Jugut. Një mendim të tillë shprehu në intervistën e vet dhënë radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Zëvendëskryetari i Komitetit për çështjet ndërkombëtare të Këshillit të Federatës të Rusisë Vasilij Lihaçov. Për ruajtjen e plotfuqishmërive të Rusisë në PACE u shpreh gjatë votimit shumica e parlamentarëve të pranishëm në sallën e Pallatit të Europës, vuri në dukje Vasilij Lihaçov: “Duhet pranuar se triumfoi me të vërtetë gjykimi i shëndoshë gjatë vlerësimit të atyre ngjarjeve që ndodhën në gusht të vitit 2008 në rajonin e Kaukazit dhe qëndrimit të Rusisë në kushtet e krijuara. Unë mendoj se ky vendim, thjesht, përforcon tezat që u formuluan këto ditë në raportin e Komisionit të pavarur të Bashkimit Europian. Ai konfirmoi, se pikërisht Gjeorgjia u bë agresore dhe filloi veprimet luftarake duke shkelur me këtë Statutin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe atë të OSBE-së. Ky votim dëshmoi qartë, se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës shpreson të ndërtojë marrëdhëniet me Rusinë duke avancuar nëpërmjet rrugës diplomatike, nëpërmjet mekanizmave të dialogut”, thotë Vasilij Lihaçov.
Shumë nga deputetët e vendeve të huaja, megjithëse i përmbahen mendimeve të ndryshme në lidhje me vlerësimin e ngjarjeve të gushtit në Kaukaz, po fillojnë megjithatë të mbështesin pozitën e Rusisë, mendon senatori rus, Zëvendëskryetari i delegacionit të Rusisë në PACE Iljas Umahanov: “Po vjen duke ndryshuar të kuptuarit e shkaqeve të konfliktit dhe pasojave të tij. Por megjithatë një pjesë e mirë e delegatëve vazhdojnë të mbeten akoma robër të vendimeve që u morën në PACE në sfondin e shpërthimit të vakhanalies informative të atëhershme. Ndërsa ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të sqarojmë me këmbëngulje pozitën e Rusisë. Të punojmë shumë me qëllim që të garantojmë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kaukaz, dhe duhet theksuar këtu, për banorët në të dyja anët e kufirit, si në Gjeorgji, ashtu dhe në Osetinë e Jugut.