Foto RIA LajmetPresidenti i Rusisë Dimitri Medvediev dha urdhër për të filluar aplikimin në jetë të projekteve të destinuara për kursimin e energjisë elektrike. Siç shkruan gazeta “Kommersant”, midis tyre ka dhe projekte të tilla që drejtohen për luftën kundër llambave të zakonshme elektrike në nivel shtetëror dhe përdorimin e burimeve të reja të përftimit të energjisë. Presidentit i treguan maketin e centralit elektrik që punon me mbetjet e lëndës drusore. Sipas të dhënave të specialistëve, nga mbetjet e lëndës së drurit, që grumbullohen pas përpunimit të saj, në vend mund të përftohet një vëllim energjie ekuivalent me energjinë e gjithë benzinës që konsumohet në Rusi për një vit. Presidenti pa edhe impiante të tjera të reja energjetike dhe deklaroi, se këto përpunime janë mjaft impresionuese, por e keqja kryesore e tyre konsiston në atë se ato nuk janë venë deri tani askund në shfrytëzim. Përsa i përket ndriçimit të zakonshëm, duhet thënë, se në nivelin më të lartë morën vendim që të hiqet dorë nga përdorimi i llambave të zakonshme elektrike me fuqi më tepër se 100 watt që këtë verë. Sipas bindjes së thellë të Medvedievit, tashmë për llogari të zgjidhjeve ekzistuese teknike përdorimi i energjisë elektrike në vend mund të bjerë deri në 40 %. Potenciali i shfrytëzimit të teknologjive më moderne, më bashkëkohore është, thjesht, jashtëzakonisht i madh, vë në dukje gazeta “Kommersant”.


Komentimi i artikullit të ditës


Përveç meritave e vlerave evidente, llambat e brezit të ri kanë edhe mangësitë e veta serioze. Mbi to do të flasë tani përpara mikrofonit tonë Drejtori i Institutit mbarërus të Burimeve të Dritës Aleksandër Tereshkin. “Një nga minuset serioze është përdorimi i zhivës (merkurit) në llambat kompakte, lumineshente. Përveç kësaj, në Rusi nuk ka ende një sistem veprues për utilizimin e mbetjeve me përmbajtje zhive. Ndërsa më saktë, ai ekziston, por tek ne asnjeri nuk preokupohet fare për atë që ti mbledhë veças plehrat e dëmshme dhe ti dorëzojë në vende të specializuara për këtë gjë. Ndërkohë që duhet theksuar se zhiva hyn në listën e lëndëve, substancave më të rrezikshme për natyrën. Plus dhe një aspekt tjetër. Ne nuk kemi ndërmarrje për prodhimin e llambave elektrike që kursejnë energjinë elektrike në vend. Kina i ka mbytur të gjitha vendet me llambat e veta me kosto të ulët. Llamba me cilësi të mirë nga prodhuesit e njohur botërorë sigurisht që ka në treg, por llamba kineze ka megjithatë më shumë. Dhe ato shpesh herë nuk i përgjigjen parametrave të deklaruar, të nevojshëm”, konkludon Aleksandër Tereshkin.