Ivan Dihoviçnij foto RIA LajmetNë Moskë në moshën 61 vjeçare ndërroi jetë nga kanceri i gjakut njëri nga regjizorët më mbresëlënës, më të spikatur të kinematografisë ruse, përfaqësuesi i denjë i regjizorëve-intelektualë Ivan Dihoviçnij. Botimi “Njezavisimaja gazeta” shkruan: “Dihoviçnij nuk kishte frikë të xhironte filma të cilët nuk i lejonin të shfaqeshin në ekran të madh për publikun e gjerë. Gjatë xhirimit të filmit “Kopeika” ai ishte që në fillim në dijeni të asaj, se filmin nuk do ta shfaqin në kinematë e vendit. Dhe kështu ndodhi në të vërtetë. Por sipas rejtingut të shitjeve në formatin DVD filmi për disa vite me radhë ka qenë rekordmen në Rusi. Ai nuk kishte gjithashtu aspak frikë të xhironte filma, të cilët ishin të destinuar apriori për mossukses në qarkullim. Një nga filmat më me peshë, më të rëndësishëm të vet, atë me titull “Muzika për dhjetorin”, ai e xhiroi kur nuk kishte as filma me qira dhe as spektatorë. Nuk dinte të thoshte në mënyrë katastrofike “po” kur në majë të gjuhës kishte fjalën “jo”. Nuk druhej fare të dilte ballë për ballë “tek barriera” në debatet që zhvilloheshin për të provuar, siç i dukej atij dhe çdo njeriu me logjikë të shëndoshë, gjëra krejtësisht evidente. Megjithëse e dinte që në fillim se do ta humbiste dyluftimin debatues. Vdekja e Ivan Dihoviçnij nuk ishte e papritur as për shokët e miqtë e tij dhe as për atë vetë. Ai ishte i gatshëm, aq sa ështe e mundur të bëhet një gjë e tillë, për ta pritur me dinjitet atë. Vetë ai u shpreh për këtë me sinqeritetin që e karakterizonte atë si vijon: “Kur më vunë diagnozën dhe më thanë se më mbeteshin vetëm 3 apo 4 vjet jetë unë mendova se, duke marrë parasysh moshën time, ky është një afat i gjatë kohor, duhet thënë. Gjithashtu mendova në atë moment se gjëja më e keqe është të fillosh e të mëshirosh veten. Dhe u nisa për në shtëpi. Sigurisht, që më erdhi keq për veten. Por kur ndjeva lëmshin që mu mblodh në grykë buzëqesha sepse, a e dini, provon një ndjesi të ëmbël, ndihesh shumë mirë kur të vjen keq për veten dhe kur mendon se unë jam një njeri i mjerë, i pafat, se po vdes…Pastaj i thirra mendjes dhe shtrova përpara vetes pyetjen: mos vallë mua më ra për pjesë një fat i tillë interesant? Të jetoj me ritme më të shpejta. Të mos humbas kohë. Dhe, me të vërtetë, unë fillova të jetoj në një mënyrë krejtësisht tjetër pas kësaj”.


Komentimi i artikullit të ditës


Mbi personalitetin e Ivan Dihoviçnij flet përpara mikrofonit tonë kritikja kinematografike Elena Sollnceva: “Ai ishte një njeri i shumëanshëm, karizmatik. Ai ka qenë edhe drejtues emisionesh televizive, edhe president i festivalit kinematografik “Завтра» (“Nesër”), për zhvillimin e të cilit dinte të gjente mjetet e nevojshme financiare. Në këtë rast, në përgjithësi, sigurisht, që duhet folur për stilin. Meqenëse pikërisht stili, si i tillë, e interesonte tej mase atë. Edhe vetë ai nuk ngjante aspak me kinematografistin që kuadrohet në kualifikimin e atij të mesëm statistikor. Njihte për mrekulli gjuhën franceze prandaj dhe kontakti i tij me Perëndimin dallohej për lehtësinë e vet. Dihoviçnij e adhuronte pa masë kinematografinë perëndimore, njihte historinë e zhvillimit të saj, e kuptonte për mrekulli atë, gjë kjo që është mjaft e rrallë për regjizorin kinematografik bashkëkohor rus. Ai ishte një njeri fort i spikatur, me shumë kolorit, mbresëlënës. Ndërkohë që nuk mund të lihet pa përmendur edhe fakti se në të kaluarën ai ka qenë aktor dhe, duhet thënë, mjaft i mirë. Ai u ka bërë plotë të mira njerëzve. Ndërsa poshtërsitë nuk i duronte dot”.

Për nder të kujtimit të ndritur të Ivan Dihoviçnij.

Kënga kushtuar duelit të Pushkinit me Dantesin nën interpretimin e vetë autorit Ivan Dihaviçnij.