Valentin Zorin foto RIA LajmetRadiokompania “Zëri i Rusisë” këtë vjeshtë kremton 80 vjetorin e vet. Në vigjilje të jubileut të saj ne do të vazhdojmë t’ju njohim me historinë e habitshme të radiotransmetimit për vendet e huaja dhe me kolegët tanë — gazetarët unikalë që dhe e krijuan këtë histori. Hero i tregimit të sotëm është patriarku i gazetarisë radiotelevizive sovjetike dhe ruse, vëzhguesi i njohur politik Valentin Zorin. Ai është gati moshatar me “Zërin e Rusisë”, ai vazhdon të punojë edhe sot e kësaj dite në godinën legjendare në rrugën Pjatnjickaja, 25 vjet në kabinetin e tij, në muret e të cilit janë varur fotografi bardhë e zi ku janë pasqyruar momente të takimeve të Valentin Zorinit me politikanët më të mëdhenj të shekullit të XX-të. Për Valentin Zorinin mund të thuhet me të drejtë të plotë se ai është vëzhguesi politik №1 në vendin tonë — gjithë të tjerët u dukën më vonë! Sepse kjo është me të vërtetë kështu… I diplomuari i grupit të parë të përzgjedhur të Institutit Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës Valentin Zorin e filloi karrierën e vet në Radiotransmetimin për vendet e huaja në vitin 1948, ku vazhdon të punojë edhe sot e kësaj dite. Ishte e pamundur të përfytyrohej pa të bile edhe televizioni sovjetik. Për shumë vite me radhë ai ka drejtuar programet televizive me popullaritet jashtëzakonisht të madh “Studio e 9”, “Biseda jo diplomatike” e shumë të tjera. Zorin ka patur rastin të takohet dhe të intervistojë liderë të shteteve të huaja dhe veprimtarë të shquar politikë botërorë. Midis tyre mund të përmendim vëllezërit : Kennedy, Charles De Gaulle, Indira Gandhi, “ledin e hekurt” Margaret Thatcher, Helmut Kohl, presidentët e SHBA-s: Eisenhower, Nixon, Ford, Johnson, Carter, Reagan, Bush, Clinton. Mund të thuhet se gjatë gjithë këtyre viteve emri i tij jo vetëm që është i lidhur me politikën e madhe, por ai ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i saj. Në vitin 1962, duke qenë korrespondent i radiotelevizionit shtetëror sovjetik (Gosteleradio) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Valentin Sergejeviç Zorin u bë dëshmitar okular i ngjarjeve të lidhura me krizën e Karaibeve dhe i ndriçonte ato në eter. Aktualisht është jashtëzakonisht e vështirë të përfytyrosh se asaj kohe në çdo minutë mund të shpërthente lufta bërthamore, kujton Valentin Zorin: “Këtë krizë unë pata mundësi ta vëzhgoj, ta ndjek, si i thonë fjalës, nga afër duke qenë në Uashington në ato ditë. Ky ishte një moment me gjithë mend tej mase i vështirë. Bile, do të thoja, jashtëzakonisht i rrezikshëm. Aktualisht jo të gjithë mund ta përfytyrojnë atë situatë që u krijua asaj kohe, por bota u ndodh vërtet në prag të luftës bërthamore. Mua më duket se lideri sovjetik Nikita Krushov atëhere e teproi. Dislokimi i raketave në Kubë u perceptua nga amerikanët si pistoletë e vendosur në tëmth të Uashingtonit. Dhe unë vura re se pjesa dërrmuese e elitës drejtuese amerikane dilte për marrjen e masave tejet të rrepta, deri në ato ushtarake. Ndoshta prandaj dhe në historinë e Shteteve të Bashkuara Kennedy hyri si president i madh megjithëse ndenji në Shtëpinë e Bardhë vetëm tre vjet. Ai arriti të përballojë atëhere presionin e madh që ushtrohej mbi të nga brenda. Dhe ai mori vendimin tepër të vështirë për veten, por tejet të domosdoshëm. Ky nuk ishte lëshim i njëanshëm, por ishte kompromis. Shumë veta tani nuk e mbajnë mend faktin se jo vetëm Bashkimi Sovjetik tërhoqi anijet e veta dhe largoi raketat nga Kuba, por edhe Kennedy mbylli bazën amerikane Turqi prej nga ku koha e fluturimit të raketave drejt qendrave tona me rëndësi jetike numërohej me disa minuta. Ky ishte një kompromis i domosdoshëm, dhe duhet thënë në një moment të tillë, kur gjakrat ishin ndezur deri në kulm. Krushovi gjithashtu shfaqi kthjellësi mendimi dhe arsyeshmëri, megjithëse, për mendimin tim, disi të vonuar-raketat tona nga Kuba u larguan. Pa kurrëfarë hiperbolizimi mund të thuhet, se një rol tepër të ndjeshëm në parandalimin e konfliktit ndërkombëtar luajti Radiotransmetimi sovjetik për vendet e haja. Shmania e konfrontimit ushtarak midis Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-s u arrit me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të “Radio Moskës” ndërkombëtare (aktualisht “Zëri i Rusisë”). Atëhere deklarata e qeverisë sovjetike, që i shërbeu eliminimit të situatës tejet të tensionuar, u transmetua nëpërmjet radios para se se ajo ti dërgohej zyrtaisht Uashingtonit, vazhdon më tej Valentin Zorin: “Atëhere praktikisht nuk funksiononin kanalet normale të komunikimit midis udhëheqjeve të të dy vendeve. Mua mu krijua përshtypja sikur personat që ishin të destinuar të informonin qeveritë e veta, nga të dyja anët, ndodheshin, të themi, në gjendje nervoziteti, tejet të eksituar, ndërsa mjete bashkëkohore komunikimi të tilla që të siguronin momentalisht lidhje telefonike me çdo vend të botës apo videondërlidhje, asaj kohe nuk kishte. Prandaj Mesazhi me propozimet konstruktive dhe paqedashëse të udhëheqjes sovjetike, i transmetuar jo nëpërmjet kanaleve zyrtare por me anë të “Radio Moskës”, u dëgjua edhe në korridoret e Uashingtonit, edhe në shoqërinë amerikane. Ndërsa kjo gjë, duke marrë parasysh ndikimin e madh që ushtronte opinioni publik amerikan në politikën e elitës drejtuese të vendit, u bë një ndër mjetet, ndoshta më të rëndësishme, për të mos thënë më i rëndësishmi, që penguan në atë moment rrokullisjen e botës buzë greminës së luftës. Unë mendoj se ky është një episod tejet i rëndësishëm dhe mbresëlënës në historikun e Radiotransmetimit për vendet e huaja. Valentin Zorin është një ndër ekspertët më të njohur për SHBA-s në Rusi. Përveç kësaj, në aktivin e Valentin Sergejeviçit figurojnë dhjetra filma televizivë mbi qytetet më të mëdha të Amerikës. Për shumicën e qytetarëve sovjetikë Valentin Zorin u bë një ndër ata persona që u zbuloi atyre këtë vend. Ai njeh për mrekulli të gjitha konfliktet aktuale ndërkombëtare, kur dhe për ç’arsye ato sapo fillonin të lindnin. Dhe shpesh herë arrin të parashikojë se ç’përfundim do të kenë ato. Në sytë e tij ka ardhur duke ndryshuar edhe qendrimi, pozita e dëgjuesve të huaj ndaj Bashkimit Sovjetik, ndërsa më pas edhe ndaj Rusisë. Qendrimet, sigurisht, kanë qenë nga më të ndryshmet, por interesimi ndaj nesh ka ekzistuar gjithmonë, thotë Valentin Zorin: “Është jashtëzakonisht i madh ndryshimi midis qendrimeve të viteve të mëparshme kur unë fillova të punoj në Radiotransmetimin për vendet e huaja dhe ditëve tona,-mendon Valentin Zorin. -Mua më është dhënë mundësia të punoj në eter në kulminacionin e “luftës së ftohtë”. Do të sjell një shembull: unë isha njëherë tek kolegët e mi në “New Jork Times” dhe kryevëzhguesi i gazetës më tha: “Unë i kam dëgjuar emisionet e Tua në “Radio Moska”. Me të gjitha ato ose, të them, me pjesën më të madhe të tyre nuk jam dakort në mënyrë kategorike”. Unë iu përgjigja atij: “Po përse atëherë Ju nuk hyni në polemikë me mua, përse Ju nuk më përgjigjeni mua?”. “Një gjë e tillë, — më thotë ai, neve nuk na rekomandohet”. “Po kush nuk ua rekomandon këtë? “Po, ja, nuk na rekomandohet dhe pikë”, — ngurroi duke u shtrydhur ai. Unë i vlerësova fjalët e tij si kompliment. Në qoftë se nuk duan të tërheqin vemendjen, atëhere kanë se ç’gjëje ti druhen. Interesimi ndaj “Radio Moskës” edhe atëhere, edhe tani në shumë gjera është i lidhur me atë fakt, se ky është interes i shfaqur ndaj një këndvështrimi tjetër: “Po si vlerësohet një gjë e tillë në Rusi? E kam fjalën për auditorin amerikan. Por ateherë në shumë vende ne ishim, thjesht, i vetmi burim informacioni. “Kur mua më jepet rasti të takohem në shtete të ndryshme, në qytete të ndryshme të Amerikës me amerikanët e thjeshtë, duket fare qartë se qendrimi ndaj Rusisë aktualisht është krejtësisht tjetër në krahasim me atë të mëparshëm, — thotë Valentin Zorin, — dhe unë mendoj se ai shfaqet, pasqyrohet edhe në atë se kush, kur dhe përse dëgjon tani “Radio Moskën”. Në qoftë se më parë atë e dëgjonin me qëllim që të merrnin vesh se ç’mendojnë në kampin e armikut, aktualisht e dëgjojnë për të zgjeruar diapazonin e informacionit të vet, -mendon Valentin Zorin. -Unë nuk kam aspak dëshirë të hiperbolizoj meritat tona, por duke qenë objektiv dua të them se “Radio Moska” luajti një rol të ndjeshëm në ndryshimin e qendrimit dhe prirjeve në Perëndim në tërësi, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti. 60 vjet më parë unë e fillova rrugën time të gazetarisë në “Radio Moska”. Dhe aktualisht unë jam krenar për vetë faktin se flas në eter në valët e kanalit që quhet “Zëri i Rusisë”. Në jubileun e vet 80 vjeçar “Zëri i Rusisë” do të zhvillojë Festivalin e I-rë ndërkombëtar të radiostacioneve rusishtfolëse. Ne ftojmë për pjesëmarrje në të të gjithë ata që realizojnë jashtë shtetit radiotransmetimet “në rusisht”. Festivali do të zhvillohet nga 2-3 nëntor në Moskë.