Leonard KosiçevRadiokompania “Zëri i Rusisë” në vitin e 80 vjetorit të vet vazhdon t’ju njohë me historinë e radiotrasmetimit për vendet e huaja dhe të bashkëpunëtorëve të vet. Shumë prej tyre kanë qenë jo vetëm vëzhgues, por edhe pjesëmarrës të ngjarjeve nga më dramatiket. Hero i tregimit tonë të sotëm është Zëvendës kryeredaktori i realizimit të radiotrasmetimit në spanjisht për vendet e Europës dhe Amerikës Latine, Leonard Kosiçev. Që nga viti 1970 e deri në vitin 1973 ai ka qenë korrespondent i Radiotelevizionit Shtetëror (Gosteleradio) të Bashkimit Sovjetik në Kili dhe u bë asaj kohe dëshmitar okular i puçit të përgjakshëm, i cili hyri në historinë botërore si grushti ushtarak i shtetit i gjeneralit Pinoçet.
“Në mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 1973 unë po dëgjoja një emision muzikor së bashku me të cilin për shumë kilianë zakonisht fillonte dita e re. Dhe befas programi i preferuar nga të gjithë u ndërpre në melodinë e lehtë lirike që po transmetohej dhe në eter vërshoi vrullshëm një marsh solemn dhe u dëgjua zëri i një spikeri të panjohur”, kujton tani Leonard Kosiçev. Nëpërmjet radios u transmetua njoftimi, se junta ushtarake e krijuar gjatë natës kërkoi nga Presidenti Salvador Aliende që të jepte menjëherë dorëheqjen, kurse qytetarëve të Santiagos u rekomandohej të mos dilnin nga shtëpitë e tyre…
Ky ishte një prej grushteve ushtarakë më të egër e më barbarë që kishte parë ndonjëherë Amerika Latine. Në krye të Juntës ushtarake u vu gjenerali Augusto Pinoçet. Qeveria konstitucionale e socialistit Salvador Aliende u përmbys. Vetë Presidenti gjeti vdekjen në betejën e zhvilluar gjatë kohës së marrjes me sulm të pallatit presidencial “La Moneda”.
Me ardhjen e Pinoçetit në pushtet në Kili filluan përndjekjet, kapjet e njerëzve, bastisjet dhe arrestimet në masë. Në selinë e korrespondentëve, ku ishte edhe vendi i punës së Leonard Kosiçev-it në Santiago, gjithashtu u zhvillua një kontroll, bastisje ku çdo gjë e kthyen përmbys, kurse vetë ai u morr nën arrest. “Për fatin tim të madh unë për çudi arrita të fshihja regjistrimin e mesazhit të fundit të Salvador Aliendes me të cilin ai iu drejtua kilianëve”, thotë Leonard Kosiçev: “Ky është një dokument jashtëzakonisht interesant. Zëri i Aliendes tingëllonte në sfondin e betejës që tashmë kishte filluar rreth e përqark pallatit presidencial “La Moneda”. Dhe zëri i tij ndërpritej nga vërshëllimat e plumbave, shpërthimet e predhave. Presidenti fliste me një qetësi e vetëkontroll të habitshëm për ato rrethana. Ai deklaroi drejtpërsëdrejti: “Në këtë udhëkryq të historisë unë nuk do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit, unë jam zgjedhur nga populli, unë jam i gatshëm të flijoj bile edhe jetën time, por nuk do të dorëzohem kurrë”. Mua më shqetësonte fakti, se në qoftë se do të ndërmerrej ndonjë sulm mbi pikën tonë të korrespondentëve, mund të ndodhte ndonjë gjë edhe me shiritin e regjistrimit. Një jave pas grushtit të shtetit mua më arrestuan si përfaqësuesin e Radio Moskës, të cilën e akuzonin për propagandë antikiliane. E gjithë propaganda antikiliane e saj konsistonte në atë: se ne shprehnim të vërtetën mbi gjithçka që po ndodhte në Kili, mbi ato përndjekje, vrasje për të cilat shtypi i censuruar i marrë nën kontroll të rreptë, sigurisht, që nuk njoftonte. Por unë arrita pikërisht një ditë para arrestimit tim ta çoja në ambasadën tonë këtë shirit regjistrimi kaq të paçmuar e të shtrenjtë për mua. Falë përpjekjeve të ambasadës unë u lirova dhe shiriti i regjistrimit u arrit të ruhet gjithashtu.
Pas kthimit tim në Moskë ky regjistrim së bashku me reportazhet e Leonard Kosiçevit tingëlloi në programet e radios dhe televizionit, dhe, natyrisht, edhe në radiotrasmetimin në gjuhë të huaja. Pikërisht “Radio Moska” ishte ajo që përçoi fjalët e fundit të Aliendes në gjithë botën…: “Punonjës të Atdheut tim! Unë kam besim tek Kili dhe tek fati i vendit tonë. Kilianët e tjerë do të përjetojnë orën e zezë e të hidhur kur në pushtet vërshon tradhëtia. Por duhet ta dini se nuk është e largët, por e afërt ajo ditë kur do të hapet sërish rruga e gjerë, nëpër të cilën do të ecë njeriu i denjë që të ndërtojë një shoqëri më të mirë. Rroftë Kili!”
Shumë shpejt pas grushtit ushtarak të shtetit në Kili në valët e “Radio Moskës” tingëlloi emisioni i ri në gjuhën spanjolle “Dëgjo, Kili!”. Atë e përgatisnin kryesisht emigrantët kilianë-gazetarë dhe shkrimtarë të njohur. Me ndihmën e kolegëve rusë ata tregonin për situatën në Kili, për luftën kundër diktaturës ushtarake dhe diskreditonin e i çirrnin maskën bëmave makabre të regjimit të Pinoçetit. Sigurisht, që emisioni i cili transmetohej nga Moska e largët e acaronte dhe e nervozonte në mënyrë të veçantë Juntën. Ajo bile përpiqej ta pengonte me zhurmues transmetimin e tij, por pa sukses. Emisioni “Dëgjo, Kili!” është transmetuar në eter gati 17 vjet me radhë, nga viti 1973 e deri në vitin 1990, pa u ndërprerë as edhe një ditë.
Me kalimin e shumë viteve, në vitin 2002, gjatë kohës së vizitës së vet në Moskë ish Presidenti i Kilit Eduardo Frei Ruiz Tagle (kryetari i dytë civil i shtetit pas largimit të Pinoçetit) erdhi në radiostacionin “Zëri i Rusisë” dhe shprehu dëshirën që ti tregonin atij studion prej nga ku transmetoheshin programet e emisionit “Dëgjo, Kili!”. Kur hyri në një studio jo të madhe, në të cilën po zhvillohej asaj kohe një meremetim, ai aktikuloi frazën e famshme: “Radio juaj u bë pjesë e historisë sonë”, — tregon Leonard Kosiçev.
Dhe, me të vërtetë, “Radio Moska” në ato vite të vështira u bë për kilianët radio më kryesore. Në kushtet e censurës së rreptë të vendosur nga Pinoçeti programet që transmetoheshin nga Moska ishin gllënjka lirie: “Me zërin e drejtueses së programeve të këtij emisioni, Ekaterina Olevskajas, u dashuruan të gjithë kilianët, ndërsa vajzat që lindnin atje filluan ti quanin për nder të saj me emrin Katia. Në maj të këtij viti Ekaterina Olevskaja ndërroi jetë. Ky lajm i hidhur tronditi gjithë shoqërinë kiliane. Lidhja e gazetarëve të Kilit zhvilloi aktivitetin përkujtimor të cilin e quajti “Në kujtim të Katias”, thotë Leonard Kosiçev. “Unë dua të lexoj tani një fragment nga mesazhi i Presidentes së Kilit të datës 1 maj të vitit 2009, me të cilin ajo iu drejtua pjesëmarrësve të aktivitetit për nder të kujtimit të Katias. “Të nderuar Shokë e Miq! Ky zë më prek e më trondit mua deri në thellësi të shpirtit po ashtu si dhe miliona kilianë. Ky zë na kujtohet ne dhe na asociohet me rrezen e diellit në terrin e tmerrit. Në ato ditë kur neve na ishte mohuar plotësisht e drejta për të menduar ndryshe, ky zë na thoshte se nuk jemi vetëm. Në ato ditë radiotranzistorët që mezi dëgjoheshin tingëllonin në shtëpia, kisha, gjithkund ku mblidheshin njerëzit. Duke mbajtur frymën ata dëgjonin me ëndje zërin e papërsëritshëm, të paharruar të Katias që shpallte, se “radio Moska” po fillonte programin e vet të përditshëm për Kilin, dhe se, më në fund, ata do të marrin vesh se çfarë fsheh apo ndalon Junta. Këto fraza, këto akorde të ëmbla të himnit, ky zë i pakrahasueshëm, vetë radiotranzistorët-të gjitha këto të ngjallnin ndjenjën e shpresës. Edhe për ata që mbeteshin në Kili, edhe për ata që ndodheshin në syrgjynim, Katia ishte shprehëse, përçuese e shpresave, dëshirave të përbashkëta, hidhërimit tonë, frymës sonë të rezistencës. Dhe zëri i saj tingëllonte nëpërmjet valëve të radiostacionit të cilin me zë të ulët, pëshpëritje e quanin “radio e parë e Kilit”.
Aktualisht kilianët, të cilët patën dëgjuar në ato vite të vështira programet e “Radio Moskës”, vazhdojnë të ndjekin emisionet e “Zërit të Rusisë”. Radiokompania jonë transmeton emisionet e veta në gjuhën spanjolle në Europë dhe në 20 vende të Amerikës Latine.
Në vitin e vet jubilar “Zëri i Rusisë” do të zhvillojë Festivalin e I-rë Ndërkombëtar të radistacioneve rusishtfolëse, në të cilin janë ftuar për pjesëmarrje të gjithë ata që realizojnë radiotransmetimin në “rusisht”. Ky eveniment i shënuar do të zhvillohet më 2-3 nëntor. Ne presim krahapur edhe mysafirët nga Amerika Latine!