Radiokompania “ Zëri i Rusisë” në jubileun e vet 80 vjeçar po vazhdon ciklin e emisioneve kushtuar njerëzve më interesantë dhe më mbresëlënës, të cilët në kohëra të ndryshme i kanë njohur dëgjuesit me vendin e largët dhe misterioz për ta. Dhe duhet thënë, se midis atyre që kanë qenë, si i thonë fjalës, “zëri i Moskës” ka patur jo pak qytetarë të huaj, të cilët u detyruan të braktisin atdheun e vet për arsye të ndryshme. Kështu, në mesin e viteve 30-të të shekullit të kaluar në “Radio Moska” erdhën të punojnë shumë të huaj, anëtarë të Kominternit (Organizatës ndërkombëtare që bashkonte në radhët e veta partitë komuniste të vendeve të ndryshme) dhe fëmijët e tyre. Ata gjetën strehë në Moskë pas luftës civile të viteve 1936-1939 në Spanjë. Me kalimin e disa dekadave në radio erdhën të punojnë pasardhësit e tyre, për të cilët ishin bërë tashmë amëtare të dyja gjuhët: edhe rusishtja, edhe spanjishtja. Ndër ta ishte edhe heroi i sotëm i emisionit tonë Migel Bas.
Në vitet 70-të të shekullit të kaluar rinia ishte e dhënë tej mase, mund të thuhet, ishte fort e apasionuar pas Rock and roll-it. Ishte vështirë të gjeje midis adoleshentëve ndonjë djalë, i cili të mos kishte mbajtur në duar kitarën e të mos ishte përpjekur të mësonte, të paktën, disa akorde. Migel Bas shkoi shumë më larg se kaq. Ai luante në grupin e muzikantëve që interpretonin këngë në gjuhën spanjolle. Dikush nga miqtë e tyre më të rritur pasi i dëgjoi muzikantët e rinj i ftoi të regjistronin në radio këngët e tyre për redaksinë e emisioneve në gjuhën spanjolle. Kështu Migeli erdhi në “Radio Moska” dhe mbeti të punojë për shumë e shumë vite në të. Fillimisht atij i propozuan të realizonte programet muzikore, ndërsa pak më vonë ai u bë folës, kurse më pas edhe autor programesh. “Mendoj, se mua më eci shumë fati. Unë arrita të gjej në punë ata persona, të cilët dhe e filluan transmetimin e emisioneve në gjuhën spanjolle. Mund të them duke vënë dorën në zemër, se ata ishin njerëz të mrekullueshëm, të habitshëm. Ata nuk ishin gazetarë profesionistë dhe në radio erdhën të punonin me rrugë nga më të pabesueshmet”, tregon Migel Bas: “Ishte njëri nga kapitenët spanjollë të anijeve tregtare, i cili, kur në pushtet në Spanjë erdhi gjeneral Fronko, u ndodh në lundrim në det të hapur. Dhe, me qëllim që anija e tij të mos binte në duart e frankistëve, ai e solli atë në Odesë. Kur filloi Lufta e Dytë Botërore ai u nis për në Lindjen e Largët. Atij i dhanë një anije dhe ai filloi të lundrojë pikërisht sipas Land-lease-it. Por kundështonte të lundronte në varg karvanesh duke e argumentuar refuzimin e vet me atë fakt, se në karvan ishte më i madh rreziku i të fundosurit. Dhe atëhere dikush nga udhëheqja vendosi: se meqenëse ai refuzon të lundrojë në karvan, domethënë është spiun i huaj. Dhe e nisën atë në Siberi. Më vonë, pasi mbaroi afatin e internimit, ai erdhi të punojë në radio. Ja, pra, njerëz të tillë dhe hodhën bazat e krijimit të “Radio Moskës”, thotë Migel Bas.
Mua në radio më bëri për vete jo puna e reporterit në kuptimin e drejtëpërdrejtë të kësaj fjale, jo ajo e përpiluesit të lajmeve, vazhdon Migel Bas, por ajo pjesë përbërëse krijuese e cila u bë punë profesionale e atyre që kaluan shkollën nëpërmjet kudhrës së Radiotransmetimit për vendet e huaja. Sepse ne jo vetëm u njoftonim dëgjuesve ngjarjet më të fundit të jetës së vendit, por dhe i njihnim ata me kulturën jashtëzakonisht të pasur të vendit: “Ne përgatisnim programe të mrekullueshme për Pushkinin, Lermontovin. Dhe duhet thënë, se si rregull, ne i përkthenim vetë vjershat, poezitë, tregimet, realizonim transmetimin radiofonik të tyre, ndërkohë që asnjëri nga ne nuk ishte aktor. Para pak kohësh mua më premtuan të më riregjistrojnë pjesën radiofonike “Vasili Tiorkin” në gjuhën spanjolle, në të cilën unë dhe pata marrë pjesë. Ishte një punë e mrekullueshme. Unë dua të them,se puna jonë ishte me të vërtetë krijuese, mjaft interesante. Dhe të gjithë dëshironin të realizonin ndonjë gjë të shpikur vetë”, thotë Migel Bas. Në Radiotransmetimin në gjuhë të huaj gjithmonë mbretëronte një atmosferë e veçantë. Këtu komunikonin dhe gjenin gjuhë të përbashkët njerëz të kombësive dhe kulturave të ndryshme. Ndodhte këmbimi reciprok aq i nevojshëm për të gjithë. Disa minuta para eterit folësit (spikerët) e redaksive të ndryshme mund të mblidheshin e të ndanin me njëri-tjetrin lajmet e fundit. Dhe ngandonjëherë takime të tilla përfundonin me raste, ndodhi kurioze, tregon më tej Migel Bas: “Mbaj mend se si njëherë, përpara eterit, ndërsa si përherë zhvilloheshin biseda mbi jetën, në përgjithësi, të pa lidhura me vetë emisionet, folësi i redaksisë së emisioneve në gjuhën spanjolle, i dhënë fort pas bisedës, në momentin e fundit hyri me vrap në studio ndezi mikrofonin dhe zbuloi se në duar mbante tekstin në gjuhën arabe. Dhe atij iu desh atëhere të riprodhonte lajmet me tekstin e ruajtur në kujtesë në gjuhën spanjolle”. Gjatë kohës së Perestrojkës Gorbaçoviane Migel Bas vendosi të marrë nënshtetësinë spanjolle, të cilën e patën dikur prindërit e tij, ndërsa me kalimin e 10 viteve ai u largua fare nga Rusia. Më lindi dëshira për të jetuar në vendin spanjishtfolës, thotë Migel Bas: “Unë u ndodha pas këtij hapi që ndërmorra në jetën time në kushte krejtësisht të tjera, në Uruguaj. Atje unë kisha një shtëpi të këndshme me kopësht të madh, me pishinë, ndërsa fare pranë saj dhe një plazh të mrekullueshëm. Por atje unë u mërzita shumë, meqenëse të gjitha lajmet e të rejat kishin të bënin me futbollin ose me sëmundjet e lopëve, të cilat unë as që dua ti përmend, sepse ju as që jeni në dijeni të ekzistëncës së tyre si të tilla, në përgithësi. Ndërsa në Rusi në atë kohë po fillonin sërish ngjarje me rëndësi historike. Dhe unë fillova të ndjej mprehtë se gjithçka po ndodh pa mua atje”. Aktualisht Migel Bas jeton sërish në Moskë. Ai vërtet u kthye, por jo në radiostacionin “Zëri i Rusisë”. Ai është tani Drejtor i Përfaqësisë ruse të Agjencisë informative spanjolle “EFE”, por megjithatë nuk e harron kurrë vendin e parë të punës së vet. Në jubileun e saj 80 vjeçar radiokompania “Zëri i Rusisë”do të zhvillojë për herë të parë në muajin nëntor Festivalin Ndërkombëtar të radiostacioneve rusishtfolëse, në të cilin janë të ftuar për pjesëmarrje të gjithë ata që realizojnë radiotransmetimin “në rusisht” jashtë shtetit.