Kryeministri i Federatës Ruse Vladimir Putin mendon, se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Polonisë duhet të ndërtohen duke u nisur nga ai fakt, se ato kanë qenë aleate gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Artikullin e Kreut të qeverisë ruse me titull “Faqet e historisë-shkas për paraqitje pretendimesh reciproke apo bazë e volitshme për pajtim dhe partneritet?” botimi polak “Gazeta Viborça” e publikoi sot (më 31 gusht) në vigjilje të ardhjes së tij në Gdansk për pjesëmarrje në aktivitetet që do të zhvillohen atje me rastin e 70 vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Vladimir Putin shkruan në të, se pa kurrëfarë mëdyshjesh e lëkundjesh e pranoi ftesën e Kryeministrit të Polonisë Donald Franciszek Tusk për pjesëmarrje në aktivitetet kushtuar fillimit të Luftës së Dytë Botërore. “Sepse Rusia dhe Polonia kanë qenë aleate në atë luftë të drejtë. Obligim i përgjithshëm moral i atyre që jetojnë sot është përkulja e kokës me nderim e respekt përpara kujtimit të të rënëve, përpara burrërisë dhe stoicizmit të ushtarëve të vendeve të ndyshme, të cilët luftuan me vetmohim dhe shpartalluan nazizmin”, thuhet në artikullin e sipërpërmendur. Kryeministri i Rusisë Vladimir Putin doli kundër shtrembërimit të vetëdijes shoqërore në favor të politikanëve të pandërgjegjshëm, kundër kthimit për së mbrapshi të së kaluarës dhe rishkruarjes së historisë sipas nevojave të konjiukturës momentale politike. “Aktualisht pa u menduar gjatë e pa e vrarë fort mendjen për pasojat, neve na propozojnë të pranojmë, se “shkrehje e vetme e këmbëzës së pushkës” për fillimin e Luftës së Dytë Botërore u bë Pakti ruso-gjerman mbi Mos-sulmimin i 1 shtatorit të vitit 1939”, — thuhet në aktikull. Putin kujton atë fakt, se kufijtë në Europë filluan të shpërbëhen shumë më parë se sa 1 shtatori i vitit 1939. Ky proces filloi që në vitin 1938 kur jo vetëm Gjermania, por edhe Hungaria, edhe Polonia, në fakt, “morrën pjesë në rindarjen territoriale të Europës”. Pikërisht pas Marrëveshjes së fshehtë të Mynihut Hitleri vendosi përfundimisht, se “gjithçka është e lejueshme për të”, kurse Franca dhe Anglia “ nuk luajtën as gishtin e dorës” që të mbrojnë aleatët e vet. “Pa kurrëfarë dyshimi, mund të dënohet me të drejtë të plotë Pakti i Molotov-Ribbentropit, i cili u nënshkrua në gusht të vitit 1939. Por njëkohësisht nuk duhet lënë në harresë edhe ai fakt, se një vit më parë Franca dhe Anglia nënshkruan në Mynih Traktatin e famshëm me Hitlerin, duke shkelur me këtë hap të gjitha shpresat për krijimin e një fronti unik lufte kundër fashizmit”, thuhet në artikull. “Të hidhte poshtë propozimin e Gjermanisë për nënshkrimin e Paktit mbi Mos-sulmimin në kushtet kur të gjithë aleatët e mundshëm të Bashkimit Sovjetik në Perëndim kishin nënshkruar tashmë marrëveshje analogjike me Third Reich (Rajhun e Tretë) gjerman dhe nuk dëshironin të bashkëpunonin me Bashkimin Sovjetik, ndërsa të përballohej e vetme një me një me makinën e fuqishme ushtarake të nazizmit diplomacia sovjetike e asaj kohe e quante me plot të drejtë, si minimum, të paarsyeshme, budallallëk”, — shkruan Putin. Ai mendon, se Marrëveshja e fshehtë e Mynihut i shtyu drejt përçarjes aleatët objektivë në luftën kundër nazizmit, shkaktoi lindjen e dyshimit dhe mosbesimit reciprok në radhët e tyre. Dhe, duke hedhur vështrimin në të kaluarën, për të gjithë ne edhe në Perëndim, edhe në Lindje të Europës, është e domosdoshme të mos harrojmë kurrë atë fakt, se në ç’tragjedira çojnë frika, politika kabinetore e prapaskenave, synimi për të garantuar sigurimin dhe interesat vetiake në kurriz të të tjerëve. Nuk mund të ketë kurrësesi politikë të arsyeshme, të mençur, të përgjegjshme përtej kuadrove moralë dhe juridikë”, — deklaroi Kryeministri rus Vladimir Putin. Ai kujtoi edhe mbi një mësim tjetër të historisë, dhe pikërisht mbi atë, se është e pamundur të krijohet një sistem efektiv sigurimi kolektiv pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të kontinentit, duke përfshirë këtu Rusinë”, konkludon Vladimir Putin.