Mbrojtësit e të drejtave të njeriut akuzuan Bashkinë e Moskës për shkeljen sistematike të së drejtës konstitucionale për zhvillimin e lirshëm të tubimeve. Gazeta “Vremia novostei” përmend disa fragmente nga deklaratat e mbrojtësve të të drejtave të njeriut: “Tashmë u bë më se evidente se autoritetet kryeqytetase organizojnë me qëllim aktivitete të ndryshme “kulturoro-sportive masive” pikërisht mbrëmjeve të datës 30 apo 31 të çdo muaji në Sheshin Triumfalnaja”, duke u përpjekur me këtë të mos lejojnë zhvillimin atje të aksioneve politike. E gjithë puna konsiston në atë, sqarojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, se disa organizata opozitare kanë deklaruar që prej kohësh mbi synimin e vet për të zhvilluar çdo muaj mitingje pikërisht në këtë vend në ditën e fundit të çdo muaji. Në shumë dokumente juridike — edhe në Kushtetutë, edhe në Konventën Europiane për të drejtat e njeriut — theksohet, se mbledhjet, tubimet, mitingjet, marshimet, parakalimet dhe piketimet janë shfrytëzim legjitim i hapësirës publike. Domethënë, se aksionet politike janë po aq legjitime sa dhe festimet e ndryshme në lidhje me Ditët e qytetit, aktivitetet kulturore dhe sportive. Siç mendojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, aktet e nënligjshme dhe instruksionet, të cilat udhëzojnë bashkëpunëtorët e ruajtjes së rendit se si duhet të veprojnë ata gjatë kohës së zhvillimit të aksioneve të tilla, bien në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Ndërsa strukturat ushtarake që nga kohërat sovjetike janë mësuar të plotësojnë instruksionet dhe jo të respektojnë ligjet e Kushtetutën.


Komentimi i artikullit të ditës


Mbi veçoritë e bashkëveprimit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut me autoritetet flet përpara mikrofonit të “Zërit të Rusisë” Drejtuesja e Byrosë moskovite të organizatës “Human Rights Watch” Tatjana Llokshina: “Tek ne procedura e bashkërendimit të mitingjeve, demostratave dhe tubimeve nuk ka karakter lejues, por lajmërues, njoftues. Pra, organizatorët e aktivitetit japin informacionin mbi formatin e tij dhe mbi atë, se ku kanë ndërmend ata ta zhvillojnë aktivitetin e tyre. Fjalën “jo” autoritetet nuk mund t’ua thonë dot atyre. Por ata veprojnë ndryshe. P.sh., thonë, se një numër i tillë njerëzish në vendin e kërkuar për aktivitet do të pengojë qarkullimin rrugor. Ose, se atje ku ne dëshirojmë të mblidhemi do të pastrojnë dëborën (në qoftë se fjalë bëhet për periudën e dimrit). Domethënë, aktivitetin ato nuk mund ta ndalojnë fare, por e ridrejtojnë turmën e njerëzve në ato vende ku ata nuk do ti shohë e nuk do ti dëgjojë dot askush, me qëllim që të pengohet shprehja e mendimit të opinionit shoqëror.