Shkrimtari i famshëm i letërsisë për fëmijë dhe poeti i njohur Sergei Mihallkov ndërroi jetë në një nga klinikat e Moskës në vitin e 97 të jetës së vet. Kurrë ndonjëherë më parë, në asnjë vend të botës, nuk ka ndodhur ndonjë gjë e tillë që tekstin e tre himneve shtetërore ta ketë shkruar po i njëjti njeri, i cili e fitoi këtë të drejtë mbi bazë konkursi eliminator. Por Mihallkovi ka edhe plot merita të tjera. Ai filloi të shkruajë vjersha që në moshën 9 vjeçare, ndërsa të botohet në shtyp kur mbushi të 15-at. Meritë kryesore të vetën ai quante ringjalljen e gjinisë së fabulës në shekullin e XX-të. Ai pohonte, “se pat përjetuar shumë, por jo si dëshmitar okular, por si pjesëmarrës aktiv i ngjarjeve historike”. Gjatë kohës së luftës së Madhe Patriotike pat shërbyer si korrespondent. Është dekoruar me urdhëra e medalje të shumta. Autor i epitafit, mbishkrimit në varrin e Ushtarit të Panjohur pranë murit të Kremlinit “Emri yt është i panjohur, vepra jote heroike e pavdekshme” është gjithashtu Sergei Mihallkov. Në parathënien e njërit prej librave të vet Mihallkov ka shkruar. “Unë linda në kohën e Rusisë cariste. Kur ishte vetëm 4 vjeç filloi revolucioni, kam qenë dëshmitar okular e kam vëzhguar krijimin e Bashkimit Sovjetik, ndërsa në moshëm 78 vjeçare — shpërbërjen e shtetit të madh, të cilit i kam shërbyer me besnikëri, devotshmëri e përkushtim gjatë gjithë jetës sime”. Ai konfirmonte gjithmonë se nuk i vjen turp, nuk i skuqet faqja për krijimtarinë e vet. Aktualisht, tirazhi i përgjithshëm i librave të botuara nga Sergei Mihallkov përbën 400 milionë ekzemplarë. Ndërsa veprat e tij, që kanë hyrë tashmë në letërsinë klasike, vazhdojnë të ribotohen ende.