Merrni pjesë në votim!

 


Në Shën Peterburg filluan të flasin sërish mbi domosdoshmërinë e rilyerjes së Pallatit të Dimrit në ngjyrën e vet historike-rozë e lehtë në bezhë të ëmbël. Për të satën herë debatin në lidhje me këtë problem e hapi Drejtori i Muzeut Ermitazh Mihaill Piotrovskij, i cili që disa vite më parë pat mbartur në vetvete idenë e rikthimit të ngjyrës me të cilën e pat lyer atë arkitekti Rastrelli në mesin e shekullit të XVIII-të. Ia vlen të vihet në dukje këtu ai fakt, se gjatë kohës së ekzistencës së vet Pallati e ka ndryshuar më se një herë ngjyrën. Në qoftë se gjatë drejtimit të perandorëve Pavli i I-rë dhe Nikollai i I-rë ai ka ruajtur ngjyrën okër në të bardhë, në gjysmën e dytë të viteve 1850-1860-të, gjatë drejtimit të Perandorit Aleksandri i II-të, kolori i fasadës së Pallatit ndryshoi disi: nuanca e ngjyrës okër u bë më e thellë. Në kohën e sundimit të Aleksandrit të III-të, kolorit të ngjyrës së Pallatit i shtuan më shumë pigment të kuq. Në këtë pamje ngjyre të kuqe në terrakotë Pallati i Dimrit ka ekzistuar deri në fund të viteve 1920-të. Më vonë u zhvilluan një sërë eksperimentesh dhe kërkimesh të koloritit të fasadave: në vitin 1927 u ndërmorr përpjekja për ta lyer atë në ngjyrë gri, kurse në vitet 1928-1930 — në gamë koloristike kafe-gri. Në vitin 1934 me iniciativën e punonjësve drejtues të Komitetit Ekzekutiv të qytetit Leningrad (Gorispollkom) për herë të parë u ndërmorr përpjekja për ta lyer me bojë vaji, dhe duhet thënë, mjaft ekspresive, gati portokalli fasadën, ndërsa kornizat me ngjyrë të bardhë. Por ky eksperiment u pranua si dështak jo vetëm për arsye estetike, por edhe për shkak të ndikimit negativ të bojës së vajit mbi gurin, suvanë dhe barelievin e dekorit. Në vitin 1941 sërish vazhdon kërkimi i varianteve të ngjyrës së Pallatit të Dimrit. Në këtë punë marrin pjesë arkitektë, piktorë dhe restauratorë me emër. Menjëherë pas mbarimit të luftës, në vitet 1945-1947 godinën e Pallatit të Dimrit e meremetuan dhe e lyen me tre ngjyra: muret me oksid kromi me pak pigmet smeraldi; kolonat, kornizat dhe segmentet e dritareve me ngjyrë të bardhë; barelievet e dekorit, kapitelet me ngjyrë okër. Për herë të fundit Pallati i Dimrit është lyer rreth 2 vite më parë, duke ruajtur, në tërësi, nuancën e vet që është bërë tashmë tradicionale.


Po ç’ngjyrë do të ishte më e preferueshme për ju në lidhje me kolorin e Ermitazhit?