11 anëtarët e ekuipazhit të anijes transportuese “Arctic Sea”, të cilët u liruan nga marinarët ushtarakë rusë, vazhdojnë të mbeten ende në Moskë. Kështu shkruan gazeta “Kommersant”. Qendrimin e tyre të gjatë në Moskë — anëtarët e ekuipazhit marrin pjesë në procedurat hetomore — dikush nxitoi ta ndërlidhë me shkeljen e të drejtave të njeriut. Në Komitetin Hetimor me këtë vlerësim nuk pajtohen në mënyrë kategorike dhe deklarojnë, se anëtarët e ekuipazhit janë plotësisht të lirë të qarkullojnë ku të duan dhe se kthimi i ekuipazhit në Arhangelsk mund të ndodhë që përpara fundit të kësaj jave. Përsa i përket piratëve të arrestuar, mund të thuhet, se ata i pret ndjekja penale jo vetëm në Rusi, por edhe jashtë kufijve të saj. Në Estoni, ku jetonin 6 nga 8 pjesëmarrësit e dyshuar për rrëmbimin e anijes transportuese, ndaj tyre janë ngritur tashmë çështje penale. Në të dyja vendet tani ata i pret po i njëjti dënim — 20 vjet heqje lirie.

 


***


Botimi “Njezavisimaja gazeta” njofton mbi daljen në dritë të përmbledhjes me artikuj, autorët e të cilit dhanë një kontribut me mjaft peshë në luftën kundër falsifikimit të historisë së vendit. Avancimi i qendrueshëm i Rusisë, mendojnë ata, nuk përkon kurrësesi me planet e disa fuqive botërore të cilat dëshirojnë ta shohin Rusinë me mëvetësi të kufizuar, të paaftë për realizimin në jetë të prioriteteve të veta strategjike kombëtare, që garantojnë zhvillimin e individualitetit, shoqërisë dhe shtetit. Pikërisht me pëlqimin e tyre dhe inkurajimin e fshehtë financiar kundër Rusisë ka filluar një luftë e vërtetë informative. Fushë beteje u zgjodh për këtë qëllim historia. Sipas mendimit të politologëve rusë, për kurrëfarë pretendimesh ndaj Rusisë në lidhje me përfundimet e Luftës së Dytë Botërore as që mund të bëhet fare fjalë dhe se biseda të tilla nuk kanë pikë kuptimi, në parim.


***


Ushtarakët rusë shfaqën interesim të gjallë ndaj pajisjeve dhe veshmbathjes së “ushtarit të këmbësorisë të së ardhmes”, që u përpunua për ushtrinë franceze. Sipas të dhënave të gazetës “Vedomosti”, në qoftë se do të vendosin ta blejnë atë, atëhere ushtarët rusë do të nisen në betejë me kompjutera. Kompleksi i pajisjeve dhe veshmbathjes individuale të ushtarit të këmbësorisë përfshin në vetvete mjetet e navigacionit, një kompjuter special mjaft rezistent ndaj goditjeve në të cilin pasqyrohet informacioni mbi kundërshtarin dhe gjendjen e ushtarëve dhe nënreparteve të tjera, një helmetë me shënjestër që lejon shënjimin e përpiktë të armës qitëse individuale, si dhe mjetet e mbrojtjes. Elektronika e kompleksit punon me akumulatorë, karikimi i të cilëve mjafton për 24 orë.