Aksioni pesëminutësh i protestës kundër shpartallimit të së ashtuquajturës “Pranverë e Pragës”, që u zhvillua në Moskë 40 e ca vite më parë, ende edhe sot e kësaj ditë është i mbulluar me hijen e misterit të gjërave të pashprehura deri në fund. Duam t’ju kujtojmë, se në atë ditë, më 25 gusht të vitit 1968 një grup desidentësh shpalosi në vendin historik (Llobnoe mesto) ku dikur në të kaluarën e largët historike priteshin kokat në Sheshin e Kuq, pllakatet me parrullat: “Rroftë Çekosllovakia e lirë dhe e pavarur!”, (të shkruara në gjuhën çeke) dhe në rusisht “Larg duart nga Republika e Bashkuar Socialiste e Çekosllovakisë!”, “Për lirinë tuaj dhe tonën bashkë!”. Për një kohë të gjatë ekzistonte mendimi, se vetëm 7 persona morën guximin në gjithë Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) të dilnin me një protestë të hapur kundër futjes së trupave në Çekosllovaki. Për ta ashtu dhe shpreheshin: “Shtatëshja e guximtarëve”. “Por ne nuk ishim vetëm shtatë”, - tregonte pjesëmarrësja e atij aksioni proteste, aktualisht e ndjera Llarisa Bogoraz. Nuk heshti edhe inteligjienca krijuese. Poeti Eugjeni Evtushenko. Ai kujton: “Unë provova në ato momente ndjesinë sikur tanket me zinzhirët e tyre të rëndë shkelën mbi të gjitha iluzionet dhe shpresat e mia. Unë u turra me vrap tek radiotranzistori, arrita të kap valët e “Radio Pragës”, të cilën nuk e kishin mbyllur ende, dhe dëgjova zërin e mikut tim çek, udhëtarit Mirosllav Zigmund. Ai më drejtohej mua, personalisht, me fjalët “Zhenja! (shkurtim me përkëdheli i emrit Eugjeni) Ti mua më dëgjon? A e mban mend se si patëm folur bashkë tek stacioni Zima (Dimri) për të ardhmen? Zhenja, çfarë po ndodh? Përgjigju, të lutem! E si mund të heshtja unë? - vazhdon poeti Eugjeni Evtushenko. - Unë vrapova për në postë dhe i nisa një telegram proteste qeverisë sonë dhe një telegram mbështetjeje, inkurajimi qeverisë së Aleksandër Dubçek-ut. Po atëherë unë shkrova edhe vargjet: “Tanket rrapullijnë nëpër Pragë, në perëndim të gjakut të agimit. Tanket po shkelin mbi të vërtetën, e cila nuk është gazetë”. Vetkuptohet, se pas kësaj për shumë vite të tëra me radhë Evtushenkon nuk e lejonin të dilte jashtë shtetit. Ndokush mund të thotë: e punë e madhe, protesta të pakta në numër pakënaqësie… Por, ja, Llarisa Bogoraz mendonte krejtësisht ndryshe. “Njerëz, të cilët protestuan tek ne kundër futjes së trupave në Çekosllovaki, pati shumë, dhe bile nuk dihet saktësisht se sa. Por nuk mund të maten kurrësesi veprat, gjestet heroike me numërorë sasiorë. Është e vështirë të përcaktohet se çfarë kërkonte trimëri më të madhe në kushtet e ekzistencës së Bashkimit të atëhershëm Sovjetik - dalja në demontratë, ku përgjegjësia personale sikur shkrihej, sfumohej në masën e përgjithshme të njerëzve, apo të dilje i vetëm në mbledhje e të deklaroje protestën tënde për atë që ndodhi. A e dini, mbrojtësit e të drejtave të njeriut nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë “lëvizje”. Ne jemi vetmitarë dhe bile as luftëtarë kundër pushtetit. Ne, thjesht, nuk mund të heshtim… kjo është e gjitha…Dhe atëhere, në vitin 1968, Rusia nuk heshti”.