Në kryeqyteti e Burjatisë Ulan-Ude Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev zhvilloi sot mbledhjen për zhvillimin e Qarkut federal të Siberisë. Në të u diskutuan problemet e mprehta të këtij rajoni tepër të madh. Ja se ç’konstatoi Dimitri Medvediev gjatë prekjes në fjalën e vet të temës së ngjarjeve tragjike, të cilat ndodhën para pak kohe në njërin nga hidrocentralet më të mëdhenj të vendit Sajano-Shushensk: “Kjo është një tragjedi e paprecedentshme teknogjene për nga përmasat dhe pasojat e veta. Por, sigurisht, tragjedia më e madhe që ndodhi atje është vdekja e njerëzve. Këto janë humbje të parikuperueshme. Dhe unë do të dëshiroja edhe një herë tu shprehja ngushëllimet e mia të afërmve dhe familjarëve të viktimave. Një vemendje të veçantë qeveria duhet ti kushtojë dhënies së ndihmës familjeve të atyre që gjetën vdekjen dhe të dëmtuarëve. Një sërë vendimesh në lidhje me këtë tashmë janë marrë”, theksoi Dimitri Medvediev. Aktualisht, në kushtet e krijuara pas avarisë në hidrocentralin Sajano-Shushensk, është e domosdoshme që në afate sa më të shkurtra të realizohet rishpërndarja e rrymave energjetike në Siberi. As ndërmarrjet industriale, as objektet e sferës sociale nuk duhet të provojnë deficit energjie elektrike , kurse banorët - rritje të pajustifikuar të tarifave të energjisë elektrike. Palejueshmërinë e veprimeve të tilla Dimitri Medvediev e theksoi në mënyrë të veçantë: “Neve në këtë kuptim na duhet një vendim shumë i matur, i peshuar mirë si në sferën e politikës tarifore, ashtu dhe, në tërësi, në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me rregullimin antimonopol. Unë shpresoj shumë, se pjesëmarrësit e tregut do të udhëhiqen në veprimet e tyre nga arsyja e shëndoshë dhe jo nga leverdia, përfitimi i momentit. Ne nuk mund të lejojmë kurrësesi rritjen e pajustifikuar të kostos së energjisë elektrike”, u shpreh Presidenti rus. Sigurisht, që avaria në hidrocentralin Sajano-Sushensk krijoi shumë probleme si për autoritetet rajonale, ashtu dhe ato federale të Rusisë. Sot veprimet e tyre janë të diktuara, para së gjithash, nga përkujdesi për njerëzit, kërkimi i vendimeve optimale për kapërcimin sa më të shpejtë të vështirësive që lindën. Presidenti i bëri thirrje biznesit shtetëror dhe atij privat që duke përveshur mëngët t’ia hyjnë punës bashkarisht për të mirën e Rusisë.