Presidenti i shtetit të vetëshpallur të Kosovës Fatmir Sejdiu i bëri thirrje NATO-s për të shfrytëzuar nënrepartet e tij të armatosura për operacionet paqeruajtëse të Aleancës VeriAtlantike. Fjalë bëhet për të ashtuquajturat “Forca të sigurimit të Kosovës”, të krijuara nga ish luftëtarët guerrilas shqiptarë kosovarë nën drejtimin e instruktorëve natovianë. Dëgjoni në lidhje me këtë fakt replikën e vëzhguesit të “Zërit të Rusisë”, kandidatit të shkencave historike Pjotër Iskenderov: “Autoritetet shqiptare të Kosovës, që shpalli pavarësinë e vet nga Beogradi në mënyrë të njëanshme më 17 shkurt të vitit 2008, po e shndërrojnë gjithnjë e më shumë krahinën në një “aeroplanmbajtëse të pafundosshme”, ndërsa, më saktë, në placdarmë të pathyeshme, të pamposhtur të NATO-s. Është mjaft interesant fakti, se iniciativa e këtij pseudoshteti u bë publike vetëm disa ditë pas vizitës në Afganistan dhe në Kosovë të Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen. Gjatë qendrimit të vet më 13 gusht në Prishtinë ai deklaroi, se Aleanca VeriAtlantike ka shtruar si qëllim përpara vetes të reduktojë në mënyrë të ndjeshme efektivin e kontingjentit paqeruajtës në Kosovë. Vërtet, zoti Rasmussen sqaroi më pas, se “shumë gjëra do të varen nga zhvillimi i situatës në Kosovë dhe në mbarë rajonin ballkanik”. Por ky shpjegim duket si tepër dredharak. Nuk është sekret për askënd, se pikërisht tani situata në Kosovë u acarua në mënyrë të theksuar. Në krahinë sërish janë fiksuar krime të kryera kundër popullsisë vendase serbe. Përsa i përket rajonit të Ballkanit, në tërësi, është evidentuar qartë shpërthimi i valës së nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar në rajonet fqinje me Kosovën të Maqedonisë dhe Serbisë së Jugut. Në qoftë se bile edhe në një situatë të tillë Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s e quan të arsyeshëm reduktimin deri në 3 herë të efektivit të kontingjentit paqeruajtës, kjo do të thotë se atë nuk e preokupon fort garantimi i stabilitetit rajonal. Interesat e Brukselit konsistojnë në tjetër gjë, dhe pikërisht, në ruajtjen e pozitave të veta në Kosovë me sa më pak mjete financiare dhe sa më pak trupa ushtarake. Besnikëria e udhëheqjes shqiptare të Kosovës ndaj idealeve të euroatlantizmit nuk mund të vihet kurrësesi në dyshim, si i thonë fjalës, është provuar tashmë me “lidhje të forta gjaku”. Ndërsa për forcimin e bashkëveprimit midis Brukselit dhe Prishtinës ka dhe shumë kanale të tjera, në veçanti, po ato operacione paqeruajtëse.