“Zëri i Rusisë” për ju. Në edicionet paraardhëse të programit “Si ka ndodhur kjo?” ne kemi analizuar premisat dhe rrethanat historike që bënë të mundur nënshkrimin e Paktit “Molotov-Ribbentrop”. Sot ne do të përpiqemi të zbërthejmë, të përcaktojnë veçoritë e vetë dokumentit në fjalë dhe të kujtojmë se ç’vlerësime mori ai në të ardhmen. Bashkëbiseduesi ynë i sotëm është bashkëpunëtori i vjetër shkencor i Institutit të Sllavistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë Sergei Slluç.
Çdonjëra nga palët pjesëmarrëse të Paktit ndiqte qëllimet e veta. Gjermania synonte të siguronte kushte të favorshme në politikën e jashtme për realizimin e mëpastajshëm të sulmit mbi Poloninë dhe të pengonte me të gjitha mënyrat krijimin e koalicionit anglo-franko-sovjetik. Anglia dhe Franca përpiqeshin ti shmangeshin luftës me Gjermaninë dhe ta drejtonin agresionin e saj kundër Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), ndërsa me krijimin e kushteteve të caktuara të arrinin në marrëveshje të fshehtë me Gjermaninë duke zgjidhur në këtë mënyrë të ashtuquajturin “problem polak” me anë të rrugës së kompromisit me Third Reich (Rajhun e Tretë). Bashkimi Sovjetik përpiqej, nga ana e vet, të pengonte lidhjen e marrëveshjes së fshehtë të Anglisë dhe Francës me Gjermaninë dhe Italinë mbi bazë antisovjetike e antipolake, të mos lejonte, në rast shpërthimi të luftës gjermano-polake, daljen e Wehrmacht-it pranë kufijve sovjetikë, të arrinte përfundimin e aleancës me Anglinë dhe Francën. Aty nga 19 gushti negociatat anglo-franko-sovjetike hynë në qorrsokak të plotë. Qeveria sovjetike dha pëlqimin e vet për ardhjen e Ribbentropit në Moskë dhe me kalimin e 14 orëve pas mbërritjes së tij u nënshkrua pakti mbi Mos-sulmimin midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Po në se konsistonin veçoritë e këtij dokumenti? Ja se ç’thotë në lidhje me këtë kandidati i shkencave historike Sergei Slluç: “Të gjitha marrëveshjet që kishte lidhur Gjermania deri në atë periudhë kohore (ndërsa duhet thënë se Hitleri preferonte pikërisht marrëveshjet dypalëshe) ishin nga më të ndryshmet si përkatësisht përmbajtjes, ashtu dhe për nga pasojat e veta. Duhet theksuar këtu, se Pakti sovjetiko-gjerman, ndryshe nga marrëveshjet e tjera të lidhura nga Gjermania, së pari - menjëherë në pjesën e vet të lejuar për publikim zyrtar pas nënshkrimit paraqiste në vetvete shkeljen brutale të marrëveshjeve të lidhura më parë nga Bashkimi Sovjetik. Para së gjithash me Poloninë. Meqenëse një nga normat e së drejtës ndërkombëtare parashikon për subjektet e saj detyrimin për të mos lidhur marrëveshje të papajtueshme me detyrimet e marrëveshjeve të mëparshme. Duke ndërmarrë hapin e arritjes së marrëveshjes me Third Reich (Raihun e Tretë) në atë formë në të cilën ai u nënshkrua më 23 gusht të vitit 1939, qeveria sovjetike shkeli menjëherë me këtë pikën e tretë të marrëveshjes mbi Mos-sulmimin midis Bashkimit Sovjetik dhe Polonisë, të përfunduar më 25 korrik të vitit 1932. Pakti sovjetiko-gjerman drejtohej, në radhë të parë, kundër Polonisë, deri para sulmimit të së cilës Gjermanisë i mbeteshin vetëm disa ditë të numëruara. Po çfarë shërben si shkas, si argument për një interpretim të tillë të tekstit kryesor të këtij Pakti sovjetiko-gjerman mbi Mos-sulmimin? Para së gjithash mungesa në të e pikës, tezës për marrëveshjet e nënshkruara nga Bashkimi Sovjetik në vitet 30-të mbi Mos-sulmimin me shtete të tilla europiane si Finlanda, Letonia, Estonia, Polonia, Franca, Italia”, thotë Sergei Slluç. Duam t’ju kujtojmë, se vlerësimet që i bëhen Paktit sovjetiko-gjerman janë diametralisht të kundërta. Disa e quajnë atë sukses, fitore të diplomacisë sovjetike në kushtet e krizës politiko-ushtarake në Europë, ndërsa të tjerë e vlerësojnë atë si marrëveshje të fshehtë për ndarjen e botës. Pakti u bë objekt kritike nga ana e forcave antikomuniste dhe antisovjetike si menjëherë pas nënshkrimit, ashtu dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Njëri nga ideologët kryesorë të disfatës, shkatërrimit të partisë komuniste, anëtari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik Aleksandër Jakovljev propozonte bile që të quhej si datë e fillimit të Luftës së Dytë Botërore 23 gushti i vitit 1939 dhe jo 1 shtatori. Historiani Sergei Slluç vazhdon: “Siç dihet Bashkimi Sovjetik, udhëheqja sovjetike jo vetëm që e mohonin vetë faktin e ekzistencës së marrëveshjeve sekrete me Gjermaninë naziste gjatë shumë e shumë dekadash me radhë. Sepse për herë të parë vetëm në Kongresin e II-të të deputetëve popullorë të Bashkimit Sovjetik, që u mbajt në dhjetor të vitit 1989, u pranua zyrtarisht fakti i ekzistencës së këtyre marrëveshjeve sekrete. Dhe një mohim i tillë kaq unanim prej një njësie të madhe në numër pararojë historianësh, të cilët nuk kishin fare dijeni ose bënin sikur nuk dinin gjë mbi ekzistencën e dokumenteve të tilla, në fakt, nuk të habit aspak. Në qoftë se në periudhën sovjetike ndokush do të merrte guximin të bënte publike të vërtetën mbi ekzistencën e këtyre dokumenteve, ai do të akuzohej atëhere për propagandë antisovjetike. Në kohën e vet Vjaçesllav Molotov, gjatë largimit nga Ministria e punëve të jashtme, e nisi dokumentin origjinal të Paktit, paketën e dokumenteve të bashkangjitura atij prej 17 faqesh, në Degën e Përgjithshme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, gjë pas së cilës ato humbën për shumë vite me rradhë. Në bisedat me nëpunësit e lartë zyrtarë Molotov, po ashtu si dhe Krushovi, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi protokollet, nuk mohonte asgjë, por njëkohësisht dhe nuk pranonte asgjë. Në vitin 1998 dokumentet në fjalë u publikuan në përmbledhjen dokumentare, që u botua nga Fondi ndërkombëtar “Demokracia” i Aleksandër Jakovljevit. Sipas pohimit, konfirmimit të përpiluesve të kësaj përmbledhjeje, në të janë botuar origjinalet e dokumentave të sipërpërmendura.