Në qytetin Zhukovsk në periferitë e Moskës më 18 gusht u hap Salloni avia-kozmik Ndërkombëtar MAKS-2009. Pavarësisht nga kriza dhe rënia e qenësishme e kërkesës për teknikë aviacioni në tregun botëror, specialistët shprehen mbi atë, se MAKS-2009 do të shënojë lidhje kontratash të mëdha, mjaft impresionuese. Kryeminstri i Rusisë Vladimir Putin, gjatë fjalës së marrë në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite të madhe, propozoi të nderohet me një minutë heshtje kujtimi i Igor Tkaçenko-s, komandantit të grupit të pilotazhit “Russkie vitjazi” (“Kreshnikët rusë”), i cili gjeti vdekjen ditën e dielë gjatë përplasjes në ajër të dy aeroplanëve gjuajtës Su-27 në kohën e zhvillimit të fluturimeve stërvitore. Ja se ç’tha me këtë rast Kryetari i qeverisë ruse: “Kjo tragjedi na kujton ne edhe një herë atë të vërtetë të pamohueshme, se bile edhe tani, në ditët tona, kur do të dukej në vështrim të parë sikur njeriu është i gjithëpushtetshëm dhe ka në dorë të bëjë gjithçka, qielli vazhdon të mbetet hapësirë, short për njerëzit burrërorë, të guximshëm, sfidues, për ata njerëz, të cilët nuk kursejnë asgjë për hir të punës së tyre të dashur, bile as jetën e vet”, tha Vladimir Putin. Në punën e Aviasallonit MAKS-2009 marrin pjesë më tepër se 700 korporata e holldingë nga 34 vende të botës. Më shumë se 400 kompani janë nga Rusia. Risia më kryesore e këtij salloni është aeroplani rus i fluturimeve të largëta “Superjet-100”, përpunuese e të cilit është kompania “Suhoi”. “Superjet-100” ka një sërë përparësish kundrejt aeroplanëve analogë të këtij klasi, të cilët përpunohen në disa vende të botës. Ai i ka më të ulët treguesit e harxhimit të karburantit dhe më të ulët nivelin e zhurmës në krahasim me normat ekzistuese. Me këtë aparat fluturues Rusia në vitet e afërta do të dalë në tregun aziatik, ndërsa më pas në atë europian dhe amerikan. Edhe një tjetër projekt ambicioz rus është aeroplani i fluturimeve në distanca të largëta i shekullit të XXI-të - “MS-21”, materialet në lidhje me të cilin u paraqitën në aviasallonin MAKS-2009. Ky aeroplan i ri do të zëvendësojë tashmë modelet ekzistuese “Tu-154”, “Tu-204”, si dhe aeroplanët e huaj të modeleve “A-320” dhe “Boeing-737”. Pritet, që gjatë punës së sallonit avia-kozmik, vëllimi i kontratave të lidhura në sferën e aviacionin civil dhe atij ushtarak të përbëjë afërsisht 4 miliardë dollarë. Kontratat parashikohet të lidhen me kompanitë ruse “Atlant-Sojuz”, “Aeroflot”, si dhe me Ministrinë e mbrojtjes të Rusisë.