Sot u bë e ditur mbi avarinë që ndodhi në hidrocentralin në Sajano-Shushensk, që ndodhet në Republikën ruse Hakasia. Një nga hidrocentralet më të mëdhenj në Rusi dhe Euroazi, përkatësisht parametrave të përgjithshëm, ai quhet si një ndër ndërtimet më madhështore të planetit. Ai është ngritur në kanionin e lumit me nivel shumë të lartë uji — Enisei. Diga e tij prej betoni arrin lartësinë gati 250 metra, kapaciteti i hidrocentralit përbën 6.4 milionë kilovat/orë. Njerëzit zhvillojnë ekskursione për të parë këtë mrekulli të ndërtuar nga dora e njeriut. Dhe, ja, papritmas ndodh avaria … Ne u lidhëm me telefon me fshatin e vogël Çerjomushki, ngjitur me hidrocentralin, ku ndodhet tani Sekretarja e shtypit e Shoqërisë së Hapur Aksionere “RusHidro” Elena Vishnjakova. Hidrocentrali Sajano-Shushensk hyn në përbërjen e kësaj organizate. I propozojmë vemendjes së vizitorëve të sajtit tonë njoftimin e marrë direkt nga vendi i ngjarjes posaçërisht për “Zërin e Rusisë”. “Avaria ndodhi sot në mëngjes më 8.15 minuta sipas orës lokale. Për shkak të goditjes së fuqishme të ujit në repartin e makinerive u krijua një vrimë, u dëmtua hidroagregati numër 2, tre hidroagregatë të tjerë dolën jashtë përdorimit dhe tre të tjerë u shkatërruan fare. U shemb tavani i repartit të makinerive dhe vetë ai u mbush i tëri me ujë. Tani stacioni ka ndaluar plotësisht punën e vet. Sipas të dhënave zyrtare deri në këtë moment janë evidentuar 7 persona të vdekur, 8 të shtruar në spital, po vazhdon kërkimi i anëtarëve të tjerë të turnit të dezhurnit. Gjithësej në momentin e avarisë atje punonin 60 veta. Aktualisht situata është marrë nën kontroll. U krijua shtabi operativ i Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme. Po punojnë intensivisht shpëtuesit, zhytësit. Ne, sigurisht, kemi përcaktuar për veten tashmë disa versione të avarisë, por vetëm pas pastrimit të gërmadhave dhe sqarimit të të gjitha shkaqeve do të mund të flitet konkretisht për to. Por sido që të jetë, ne nuk kemi ndërmend të ingranojmë specialistë të huaj për rikonstruktimin e agregateve të shkatërruara. Do t’ia dalim punës mbanë me forcat tona”, tha Elena Vishnjakova. Po a mund të kualifikohet avaria në hidrocentralin Sajano-Shushensk si katastrofë teknogjene? “Kjo është një avari tejet serioze, — thotë Elena Vishnjakova, — por më duket e padrejtë të cilësohet ajo si katastrofë teknogjene… Sepse nuk i ka shkaktuar kurrëfarë dëmi mjedisit rrethues, të gjitha pikat e banimit që ndodhen rreth e përqark hidrocentralit nuk janë prekur fare nga ajo. Jo, unë nuk do ta quaja në këtë mënyrë atë që ndodhi në këtë hidrocentral”, konkludoi Elena Vishnjakova.