Eugjeni Plushenko. Patinator i patinazhit artistik në akull. Kampion olimpik i Torinos në rrëshqitjen individuale artistike. Në Olimpiadën e vitit 2002 zuri vendin e 2-të. Pas debutimeve në disa teleshow me mjaft popullaritet në akull u bë një nga figurat më të spikatura e më tërheqëse të mbrëmjeve glamour të “yjeve” ruse.
Eugjeni lindi në Lindjen e Largët të Rusisë. Babai i tij me profesion murator, mjeshtër ndërtimi dhe zdrukthëtar u vendos atje me punë, në ndërtimin e rrugës kryesore hekurudhore Bajkalo-Amursk. Në atë kohë prindërit dhe motra e madhe e Zhenjës (shkurtim me përkëdheli i emrit Eugjeni) jetonin në lokalitetin e vogël Urgal të qarkut të Habarovskut. Si shtëpi për familjen e tij shërbente një vagon prej druri për fjetje, “ku nuk kishte bile as televizor”. Përveç familjes së Plushenkos atje jetonin edhe disa familje të tjera.
Sipas legjendës ekzistuese, Eugjenit i falën njëherë një palë patina për rrëshqitje në akull, të cilat i ranë të vogla një vajze të njohur. Ai ndaj mësimit të rrëshqitjes me patina u soll në mënyrë mjaft serioze. I vazhdoi më tej stërvitjet në Vollgograd, ku u vendosën me banim prindërit e tij, por shumë shpejt pas kësaj atje e mbyllën shkollën e patinazhit artistik në akull. Atëhere Eugjeni arriti ta perceptojë fare qartë për vete se patinazhi artistik nuk është për të, thjesht, hobi, argëtim, por mënyrë jetese. Duhej të largohej prej andej. Prindërit e tij ishin kundër. “Ata me plot të drejtë mendonin, - kujton Eugjeni, - se fëmija në moshën 11 vjeçare nuk është ende i gatshëm për të hyrë, për të përballuar jetën prej të rrituri. Por, në fund të fundit, më lejuan të largohem duke arsyetuar se unë kam të drejtë të bëj zgjedhjen time në jetë”.
Ishte viti 1993. Në atë kohë Eugjeni arrinte të bënte figura të ndërlikuara nga ana teknike për patinatorin në akull duke filluar që nga i ashtuquajturi tullup me rrotullim tre herësh në ajër rreth boshtit të vet e deri tek akseli tresh. “Por këto mund të quheshin atëhere vetëm kërcime me rrotullim tre herësh. Kurrëfarë teknike nuk zotëroja, asnjë lloj interpretimi artistik nuk i bëja figurave. Më ndihmonte në këtë rast vetëm aftësia e cila më ishte dhuruar bujarisht nga natyra për të kërcyer lart”, thotë Eugjeni.
Kur Plushenko ra në duart e trajnerit të kampionëve Mishin, në grupin e tij stërviteshin yje të tillë të patinazhit artistik si Aleksei Tumanov dhe Aleksei Jagudin. “Unë isha ende fare i vogël, ndërsa rreth meje kisha djem të tillë të talentuar. Mu desh të punoja shumë me qëllim që të arrija qendrimin me respekt ndaj vetes nga ana e tyre. Unë e kuptoja për mrekulli se më duhet të punoj, si i thonë fjalës, “deri sa të më dalin shtatë palë djersë”.
Në moshën 14 vjeçare Plushenko doli fitimtar në Kampionatin botëror të juniorëve në Korenë e Jugut dhe u bë kampioni më i ri në gjithë historinë e patinazhit artistik në akull.
Për tre vjet me radhë trajneri i ka paguar atij apartamentin e marrë me qira. Tani Eugjeni jeton në apartamentin e vet, të cilin ia dhuroi Presidenti i Rusisë për fitoren e korrur në Olimpiadë.
Vitin e kaluar Eugjeni u nda me gruan e vet të parë, Marien. Konfirmon, se ajo ishte tej mase xheloze. Babai i saj është biznesmen i njohur në Shën Peterburg. Djali i lindur nga martesa e tyre me vendim gjyqi mbeti të jetojë me nënën e vet. Pasion i ri për Plushenkon është bërë tani show-producentja me emër Jana Rudkovskaja, e cila ka marrë mbi vete tutorinë në skenë ndaj këngëtarit Dima Bilan. Në fitoren e Bilanit në festivalin “Eurovision 2008” ka një meritë jo të vogël edhe Eugjeni Plushenko. Ai e shoqëroi Dimën gjatë të kënduarit të tij me kërcim të mrekullueshëm artistik me patina në një plaformë të vogël të mbuluar me akull. Dasma e tyre është caktuar për këtë vit. Gjatë saj nuk priten solemnitete e salltanete të mëdha, meqenëse Eugjeni filloi tani të stërvitet intensivisht për pjesëmarrjen në Olimpiadën e pritshme në Vancouver.
Tani Eugjeni është vetëm 26 vjeç. Ai është i ri i bukur, i famshëm dhe i suksesshëm. Dhe mori guximin të rikthehet në sportin e madh. “Unë dua të luftoj për medalje në Olimpiadën e ardhshme në Vancouver, thotë Eugjeni Plushenko. - Stërvitem me të gjitha forcat e fuqitë e mia. Çdo ditë bëj nga 2-3 stërvitje” …