Ivan Urgant. Ndoshta njëri nga drejtuesit më të spikatur, më mbresëlënës bashkëkohorë të televizionit rus. “Askush nga personat bile dhe më mendjemprehtë nuk mund të tentojë të shkëlqejë në sfondin e Ivan Urgant - kjo është utopi e vërtetë. Me të mund të konkurrojnë vetëm fëmijët ose kafshët”, - shkruan shtypi për të.
Ai filloi të duket në ekran në mënyrë shumë të vrullshme - fillimisht si drejtues i programit “Të bëhesh yll” (analog i “Fabrikës së yjeve”, dhe shumë nuk arrinin të kuptonin se nga erdhi ky i ri kaq simpatik, tërheqës. Ndërsa ai shumë shpejt u zhvendos në Kanalin e 1-rë televiziv, në të cilin nuk janë aspak indiferentë ndaj “risive”, “gjetjeve të goditura” të kolegëve dhe ndaj shfaqjes së “super të rinjve” reagojnë mjaft operativisht. Tani ai është një nga figurat përfaqësuese më të prestigjshme të kanalit kryesor televiziv rus.
I ri, me shtat të lartë, të formuar mirë, elegant, kurse më kryesorja - ai është kaq mendjehollë, i zgjuar e gjuhëmprehtë, sa që çdo emision me pjesëmarrjen e tij shndërrohet aty për aty në një nga ato me rejting super të lartë. Vetëm në këtë sezon televiziv ai ka drejtuar njëherazi tre programe televizive dhe të gjitha ato janë humoristike, duke përfshirë edhe atë të artit të kuzhinës! Nuk kaloi pa pjesëmarrjen e tij bile edhe nata finale e festivalit “Eurovision 2009”! Për nga popullariteti që gëzon ai ka lënë tashmë pas edhe babanë e tij, aktorin Andrei Urgant dhe bile gjyshen e vet të famshme në gjithë Bashkimin Sovjetik, aktoren Nina Urgant.
Arsimi i tij i lartë i përket sferës teatrale, por me teatrin ai u nda shumë shpejt: së pari, sepse ky është një profesion me të cilin nuk “ha dot bukë” (pa fitim), ndërsa së dyti, më erdhi shpirti në majë të hundës duke luajtur në spektaklin “Ledi Makbeth” rojen e 12-të, ndërsa perspektiva për të kaluar në shkallën e rolit të rojes së 11-të sikur nuk më vinte aspak për zemër, nuk më gëzonte. “A e merrni dot me mend se sa e gjatë do të mund të ishte rruga e veprimtarisë sime krijuese deri në përfitimin e rolit të komandantit të rojeve?!”, i zbavit ai gazetarët.
Si përfundim drejt famës, lavdisë së vet Ivani kaloi nëpër një rrugë krejtësisht tjetër: ka punuar si kamerier në një klub nate, në një tjetër drejtonte show-n, ku ishte i vetmi njeri i veshur në skenë. Ka kënduar këngë spanjolle pa ditur spanjishten, ka punuar si DJ në radio. Historia e tij filloi me ardhjen në Moskë me qëllim që të fitonte para për meremetimin e apartamentit të vet dhe krejt rastësisht mori pjesë në casting-un e kanalit televiziv muzikor MTV. Kurse pas kësaj filloi marshimi i tij i pandalshëm, triumfator nëpër kanalet televizive. Duke harruar punën e meremetimit ai hodhi rrënjë të fuqishme në kryeqytet. Tashmë ka blerë edhe apartament në Godinën e famshme të banimit pranë brigjeve të lumit Moska, fasada e të cilit sheh nga Kremlini. “Mua më paguajnë kaq mirë, sa që më lind dashur pa dashur ndjesia sikur kam luajtur mend, - zbavitet ai. - Mua më duket se jetoj në komunizëm”.
Për një kohë mjaft të gjatë ai hynte në listën e dhëndërrave më të lakmuar të Rusisë, që ishin për tu patur zili. Mbi zemrat femërore të thyera nga ai flitej shumë lart e poshtë, por, në të vërtetë, në punët e dashurisë Ivani është njeri tepër modest. “Kurrëfarë sex-simboli unë nuk jam, aman, mos më bëni të qesh, vetëmbrohet ai. Dua të them se jam njeri mjaft konservativ dhe rrallëherë mund të më shohësh në shoqërinë e bjondinave këmbëgjata”. Kurse para pak kohësh Ivan Urgant i la lamtumirën jetës prej beqari dhe u martua me Natalia Kiknadxen, të bijën e komentatorit të njohur sportiv. Sipas fjalëve që qarkulluan lartë e poshtë, ajo ishte dashuria e parë e tij. Vitin e kaluar çifti i ri u bë me vajzë dhe ajo u bë menjëherë fëmija e tretë në familjen e tyre, meqenëse nga martesa e parë Natalia ka dhe dy fëmijë të tjerë. Dhe, në përgjithësi, duhet thënë se në moshën e vet 30 vjeçare Ivani është njeri i suksesshëm në të gjitha kuptimet. Ndërsa pyetjes: se në se konsiston suksesi i popullaritetit të tij? - i përgjigjet me sensin e humorit karakteristik për natyrën e tij: “Njerëzit më shohin mua dhe e kuptojnë menjëherë, se tani ky idiot përsëri po bën shaka. Dhe buzëqesh me dashamirësi…”.