Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë NATO-s Dimitri Rogozin ka ndërmend të ngrejë për diskutim temën e konfliktit të gushtit në Osetinë e Jugut në takimin e parë me Sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen, i cili do të mbahet më 11 gusht. Sipas fjalëve të Dimitri Rogozinit, Sekretari i mëparshëm i Aleancës Jaap de Hoop Sheffer i bënte bisht dialogut të detajuar, të hollësishëm në lidhje me këtë problem, kurse Sekretari i Përgjithshëm aktual Rasmussen duket më i hapur, më i prirur për të analizuar, më në fund, mësimet e ngjarjeve të gushtit të vitit 2008. Rogozin theksoi, se Rusia ruan shpresën për të diskutuar burimet e konfliktit në mbledhjen speciale të Këshillit Rusi-NATO në nivel ambasadorësh ku do të jenë të ftuar për pjesëmarrje edhe ekspertët ushtarakë. Pas luftës në Osetinë e Jugut Aleanca me sugjerimin e administratës së Xhorxh Bushit pezulloi punën e Këshillit Rusi-NATO. Dhe vetëm pas 9 muajsh dhe mbas ndërrimit të administratës amerikane u arrit të rivendoset puna e tij në vëllim të plotë. Në konferencën e vet të parë për shtyp në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, mbajtur më 3 gusht, Anders Fogh Rasmussen theksoi, se nuk duhet lejuar kurrësesi që mosmarrëveshjet ekzistuese midis Rusisë dhe Aleancës të helmojnë gjithë kompleksin e marrëdhënieve strategjike dypalëshe. Dimitri Rogozin në këtë mënyrë e komentoi thënien e zotit Rasmussen: “Në qoftë se kjo është thënë megjithëmend sinqerisht, atëhere, pa dyshim, që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen do të marrë mbështetje edhe nga ana e palës sonë, meqenëse ne jemi të interesuar për atë, që marrëdhëniet tona të jenë të parashikueshme, me qëllim që NATO të mbajë një qendrim konsekuent. Dhe, më kryesorja, që fjalët e shprehura nga Aleanca të përforcohen me vepra konkrete, konkludoi Dimitri Rogozin.