Veprimtaria e korporatave shtetërore shkakton shumë pikëpyetje tek Presidenti rus. Kryetari i shtetit dëshiron të sqarojë se sa efektivisht i përdorin këto struktura mjetet buxhetore dhe bile është i gatshëm të shqyrtojë temën e shfuqizimit, anulimit të tyre. Ekspertët e mbështesin plotësisht këtë iniciativë, duke kujtuar, se korporatat me statusin e tyre të dyjëzuar, të dyfishtë nuk kanë analog në botë. Siç saktëson botimi “Gazeta”, korporatat shtetërore tërheqin vemendjen e Presidentit tashmë jo për të parin vit. Në muajin mars këshilltarët e Presidentit tashmë patën propozuar anulimin e korporatave shtetërore si formë ekzistuese të personave juridikë. Sipas mendimit të këshillit presidencial, ato duhen shndërruar në shoqëri ekonomike me pjesëmarrjen 100 % të shtetit, në organe të pushtetit publik ose në fonde. Sipas ligjit, korporatat shtetërore janë organizata jokomerciale, por detyrat e tyre janë krejtësisht komerciale. Siç shprehen ekspertët e pavarur, nuk duhet të krijohet një situatë e tillë, kur korporatat shtetërore të përpiqen të ndërhyjnë në mjedisin e tregut dhe të fitojnë përparësi konkurruese me anë të rrugës së shfrytëzimit të atyre privilegjeve që marrin nga shteti.


Komentimi i artikullit të ditës


Kreu i Fondit “Qendra e Teknologjive Politike” Igor Bunin mendon, se të qenit jo rentablël nga ana strukturore e korporatave shtetërore në kohën e krizës u bë për ta moment fatal. “Korporatat e para shtetërore u krijuan në periudhën e rritjes ekonomike, kur mjete financiare kishte shumë, dhe dukej, sikur, korporatat shtetërore nuk do të bëhen barrë e rëndë për buxhetin, se do të plotësojnë funksione të dobishme, do të jenë nën kontrollin e tandemit “president-kryeministër”. Më pas erdhi periudha e krizës dhe doli se mjetet financiare janë të mangëta, kurse jorentabiliteti i ndërmarrjeve brenda për brenda korporatave shtetërore u shndërrua në një vrimë të zezë, në të cilën filluan të zhduken pa lënë gjurmë paratë”, thotë Igor Bunin.

 

 


Zëvendës kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore për legjislacionin kushtetues dhe konstruktimin shtetëror Viktor Iljuhin i vëren burimet e fushatës aktuale kundër korporatave shtetërore në divergjencat e brendshme midis Kryeministrit dhe Presidentit: “Putini udhëton nëpër Rusi me thes me para me vete duke ua dhënë ato ndërmarrjeve në nevojë të mprehtë me qëllim që të shuajë trazirat, protestat. Medvedievi në të njëjtën kohë thotë, se një qendrim i tillë është krejtësisht i papranueshëm. Dhe, ndoshta, ai ka plotësisht të drejtë. Sepse në Rusi deri tani nuk është përpunuar një sistem i sigurt, i qendrueshëm për kapërcimin e krizës. Krijimi i korporatave shtetërore, në tërësi, është masë e drejtë. Po ashtu si dhe ushtrimi i kontrollit ndaj tyre. Medvediev e kupton për mrekulli, se herët e vonë, do të duhet të kalohet megjithatë nga fjalët tek veprat konkrete. Ne kemi folur për një kohë mjaft të gjatë për korrupsionin, vjedhjet, përvetësimet e paskrupullta të mjeteve të arkës shtetërore. Ja shembulli më i spikatur, më i goditur i kësaj! Për qëllime reklame, përfaqësimi korporatat shtetërore harxhojnë dhjetra miliona. Po ku janë teknologjitë, ku janë rezultatet konkrete? Kështu që Presidenti ka plotësisht të drejtë - ato duhen mbajtur vazhdimisht nën kontroll”, shprehet Viktor Iljuhin.