Nikita Bjellih. Njëri nga politikanët më të rinj dhe më të autoritetshëm të Rusisë bashkëkohore. U bë guvernator i qarkut të Kirovskut në fund të vitit 2008 në moshën 33 vjeçare. Deri përpara kësaj ka bërë një karrierë shumë të vrullshme e të shpejtë në Partinë «Союз правых сил» (“Bashkimi i Forcave të Djathta”), e ka kryesuar atë si dhe ka marrë pjesë mjaft akivisht në lëvizjen opozitare “Solidaritetit”. Por i braktisi radhët e të dy organizatave të sipërpërmendura që para se të emërohej në postin e guvernatorit. Shumë nga shokët e tij të idesë mendojnë, se Presidenti Medvediev e bleu luajalitetin, besnikërinë e tij. Vetë Nikita shprehet kështu: “Unë hoqa dorë nga plotfuqishmëritë e kryetarit të partisë “Bashkimi i Forcave të Dhjathta” dhe dola nga radhët e partisë meqenëse mendoja se varianti i vetëm i mbijetësës së partisë është pjesëmarrja e saj në projektin “Kremlinian”. Ndërsa për veten time unë nuk shikoj kurrëfarë mundësie për të marrë pjesë në një projekt të tillë”.
Ai zgjodhi tjetër projekt të Kremlinit — postin e guvernatorit. Thotë, se dëshiron “ta realizojë veten në punën rajonale, megjithëse aspak të lehtë në kushtet aktuale”. Për gjysëm viti në postin e guvernatorit Nikita Bjellih arriti të ndërrojë gjysmën e ekipit të vet, duke pushuar nga puna gati 1/5 e aparatit administrativ dhe duke reduktuar ndjeshëm shpenzimet buxhetore. Dhe megjithëse ai nuk i premton aspak në këto vitet e afërta ndonjë jetë të lumtur e të begatë popullsisë së këtij rajoni depresiv, nga ai presin shumë.
Nikita Bjellih lindi në qarkun e Permskut, fqinj me atë të Kirovskut. Mbaroi me medalje të artë shkollën fiziko-matematike, më pas — me diplomë të kuqe fakultetin ekonomik të Universitetit të Permskut. Për të marrë një arsim të mirë Nikitën e ndihmuan shumë dhe e frymëzuan edhe prindërit — që të dy kandidatë shkencash. Babai i tij është kryemetalurg i një ndërmarrjeje të madhe të prodhimit të aeroplanëve, kurse mamaja — pedagoge në universitet.
Që kur ishte ende student Nikita e provoi veten në sferën e gazetarisë televizive. Por pas një stazhi kohëshkurtër në Oxford mori vendimin të merret me biznes dhe themeloi në qytetin Perm kompaninë investuese “Fin-Ist”. Me kalimin e 5 viteve ai u bë nënpresident i një bashkimi tepër të madh financiaro-industrial në rajonin e vet.
Posti i tanishëm i guvernatorit është një detyrë, sfidë tepër serioze për Nikita Bjellih. Dikush nga ish shokët e tij të idesë në partinë e dhjathtë liberale “Bashkimi i Forcave të Djathta” tashmë ka hyrë në përbërjen e administratës vendore të qarkut të Kirovskut. Politologët në Rusi përpiqen të supozojnë e të “hedhin fall” në se do të arrijë dot Nikita ta bëjë qarkun që drejton tani “rezervat të liberalizmit” në Rusi apo jo. Deri tani metodat demokratike të punës kanë funksionuar keq, nuk janë përshtatur fare në nivel elitash rajonale.
Nikita Bjellih është njeri mjaft i hapur dhe i komunikueshëm. Zhvillon edicionet e përjavshme të emisionit “Ditari i guvernatorit” në radio dhe praktikisht shënimet e përditshme në blogun e tij në Internet. Po në këtë blog ai shkruan për veten: “Jam i martuar. Bashkëshortja ime ka biznesin e vet. Ajo është bashkëpronare dhe drejtuese e një firme turistike. Ne kemi tre djem: i madhi — Juri në vjeshtë do të shkojë në shkollë, kurse binjakët- Sasha dhe Stjopa — janë vetëm 2 vjeç.
Përsa i përket pasioneve e hobi-ve të mia mund të them se çdo ditë bëj përpara se të nisem për në punë një kilometër not. Prej një kohe mjaft të gjatë merrem me ajkido, por në një moment të caktuar arrita të kuptoj, se nuk mund të merresh dot seriozisht me të gjitha gjërat njëherazi, duhet të zgjedhësh. Shpesh luaj tenis. Ngandonjëherë gjatë kohës së pushimeve më pëlqen të zhytem me akualang ose të bëj ski malore.